Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sibel Halimi: Paaftësia - letërnjoftim identifikues i partisë në pushtet

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se letërnjoftimi më identifikues i partisë në pushtet është paaftësia dhe dështimi për t’u përballur me qytetarët.

Sipas saj, partia në pushtet ka qasje autokratike për sindikalistët.

‘Letërnjoftimi’ më identifikues i partisë në pushtet është ai i paaftësisë, dështimit për t’u përballë me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë. Partia në pushtet së fundmi është pajisur edhe me disa ‘certifikata’ – atë të qasjes autokratike ndaj kërkesave të sindikalistëve grevistë; e deri te dështimi në energji”- ka thënë Halimi.

Sipas Halimit, kjo qeveri është shembull i ‘aftësisë’ për të propaganduar e kërcënuar.

“E me gjithë këto ‘certifikata’ dështimesh të njëpasnjëshme, kjo qeveri është shembulli i mosqeverisjes por i ‘aftësisë’ për të propaganduar, kërcënuar e linçuar, mbase të vetmen që dijnë ta bëjnë!”- shtoi më tej Halimi.

Zëdhënësja e LDK-së tutje potencoi se Kosova është në kolaps energjetik dhe këtë gjendje po e paguajnë qytetarët.

“Nga një qasje e tillë, sot Kosova është në kolaps – me blloqe që bien njëra pas tjetrës; me ekonomi të ngulfatur nga investimet e bllokuara. E fatkeqësisht, këtë po e paguajnë çdo ditë qytetarët, me mirëqenien e tyre, me vështirësim në skajshmëri të jetës së tyre të përditshme!”- shtoi Halimi.

Ministri Murati tregon kujt nuk i dolën sot rrogat