Si po e ndryshon demografinë e Evropës lufta në Ukrainë?

Disa vende mund të përfitojnë nga një fluks imigrantësh, por rajoni ndoshta do të bëhet gjithnjë e më i plakur 

Përpara se Vladimir Putin ta sulmonte Ukrainën më 24 shkurt, shumë evropianë shqetësoheshin se popujt e rajonit të tyre po plaken dhe se më shumë njerëz po vdesin sesa po lindnin.

Mosha mesatare 43-vjeçare e Evropës është gati katër vjet më e vjetër se ajo e Amerikës së Veriut, popullsia tjetër që po plaket po ashtu.

Popullsia e Bashkimit Evropian pritet ta arrijë kulmin në vetëm 450 milionë brenda disa viteve të ardhshme dhe më pas të shënojë rënie nën 424 milionë deri në vitin 2070.

Perspektiva e zvogëlimit të numrave për shumë njerëz është frikësuese. Ka qenë veçanërisht e frikshme për vendet ish-komuniste të Evropës Lindore, ku emigracioni i ka komplikuar efektet e niveleve të lindshmërisë.

Andrej Plenkoviq, kryeministri i Kroacisë, e ka quajtur rënien e popullsisë “një problem pothuajse ekzistencial për disa vende”. Ndryshimi demografik është “tranzicioni i tretë kyç i Evropës”, së bashku me tranzicionet e gjelbra dhe dixhitale, thotë Dubravka Suica, nënkryetare e Komisionit Evropian për demografinë dhe demokracinë, një pozitë kjo e krijuar në vitin 2019.

Ndër goditjet e shumta që ka sjellë, lufta e Putinit u ka dhënë një lloj të veçantë demografëve, të cilët priren ta shohin fenomenin të cilin e studiojnë si një të ngadalshëm. Rreth 5.3 milionë njerëz – pjesa më e madhe prej tyre gra dhe fëmijë – janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës, shumica dërrmuese në vendet të cilat e kufizojnë Ukrainën në perëndim. Polonia, e cila deri vonë eksportonte më shumë njerëz sesa pranonte, e ka marrë më shumë se gjysmën e tyre. Popullsia e Varshavës, kryeqyteti polak, u zgjerua me 17% në javë. Hungaria, popullsia e së cilës ishte zvogëluar nga 10.7 milionë në mesin e viteve 1980 në 9.8 milionë në vitin 2020, ka marrë më shumë se 500,000 ukrainas.

Këto shifra të mëdha mund t’i ndryshojnë fatet demografike. Për vende të tilla si Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria dhe ndoshta shtetet baltike “kjo krizë është një moment vendimtar, duke i zhvendosur ato shpejt drejt kthimit në vende imigrimi në vende të emigrimit,” thotë Tomas Sobotka nga Qendra Wittgenstein për Demografinë dhe Kapitalin Global Njerëzor në Vjenë.  

BE-ja u ka ofruar ukrainasve një ofertë gjeneroze dhe unike, duke u dhënë atyre të drejtën për të jetuar, punuar dhe studiuar në një vend nikoqir për tri vjet, privilegje që refugjatët shpesh luftojnë për t’i arritur me vite. Kjo sugjeron që ukrainasit do ta kenë mundësinë të rrënjosen shpejt në komunitete të reja. Nëse refugjatët zgjedhin të qëndrojnë, ata do ta ulin moshën mesatare të vendeve të tyre pritëse, do të ofrojnë një infuzion të nevojshëm të fuqisë punëtore relativisht të kualifikuar dhe do ta rrisin raportin gjinor në favor të grave.

Kjo mund të ngjajë si një fat në fatkeqësi për një tragjedi të tmerrshme, por e ardhmja e kësaj përçarje demografike është e paparashikueshme. Nëse lufta nuk zgjat shumë, gratë dhe fëmijët me siguri do të kthehen shpejt në Ukrainë për t’u ribashkuar me burrat dhe baballarët, të cilët, si të gjithë burrat ukrainas, janë të detyruar nga qeveria të qëndrojnë në Ukrainë midis moshës 18 dhe 60 vjeç. Çdo divident demografik, nëse ka një të tillë, do të shpërndahet në mënyrë të pabarabartë midis vendeve evropiane. Dhe ndoshta do të zvogëlohet nga një rënie në lindshmërinë e foshnjave si rezultat i pasigurisë ekonomike të shkaktuar nga lufta. Me vetëm 1.6 foshnja për një grua mesatarisht, evropianët, para fillimit të luftës, ishin tashmë ndër mbarështuesit më hezitues në botë.

Për vetë Ukrainën, lufta është një fatkeqësi demografike. Popullsia e saj ishte zvogëluar ndjeshëm për shkak të emigrimit dhe lindjeve të pakta, megjithëse para pushtimit njerëzit kishin filluar të ktheheshin sepse ekonomia ishte përmirësuar. Që nga shkurti, më shumë se një e katërta e popullsisë është detyruar të lëvizë, duke përfshirë 7.7 milionë njerëz të zhvendosur brenda Ukrainës. Shkalla e lindjeve pritet të bjerë edhe më tej. Jetëgjatësia ndoshta do të bjerë “në mënyrë masive”, thotë zoti Sobotka. Ai thekson se lufta e shkurtër midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në vitin 2020 ishte kryesisht përgjegjëse për një rënie të jetëgjatësisë te meshkujt prej tri deri në katër vjet.

Rusia, gjithashtu, është e sigurt që do të vuajë nga ky fenomen. Mijëra rusë të mirëarsimuar janë larguar nga ky vend për të cilin tani ata besojnë se nuk u ofron atyre të ardhme. Më pak emigrantë mund të zgjedhin të vijnë në Rusi nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik për të gjetur punë që kërkohet pak aftësi. Për herë të parë në dekada, bilanci i migracionit të Rusisë mund të kthehet negativ. Për zhgënjimin e Putinit, lindshmëria ndoshta do të shënojë rënie. Njëjtë sikurse miku i tij, lideri autoritar i Hungarisë, Viktor Orban, Putin ka shpenzuar para për t’i inkurajuar gratë që të bëjnë fëmijë. Në vitin 2020 ai e vazhdoi një pagesë të njëhershme “kapitali i lindjes” me vlerë 7,600 dollarë për familjet kur ata ta kenë fëmijën e tyre të parë; më parë, kjo pagesë ishte në dispozicion vetëm për ata që kishin tashmë një fëmijë. Putin shpresonte ta rriste normën e lindshmërisë nga 1.5 në 1.7. Trazirat e shkaktuara nga lufta e tij ndoshta do ta shtyjnë atë në drejtim të kundërt.

Pozicioni polak

Shtetet në perëndim të Ukrainës duken si fitues demografikë, megjithëse ky fluks po ushtron tendosje në disa prej këtyre vendeve, veçanërisht në Moldavinë e vogël, e cila i ka pranuar më shumë se 400,000 refugjatë, të barasvlershëm me 15% të popullsisë së saj. Për Poloninë, ku rreth 1.4 milionë ukrainas jetuan dhe punuan në vitin 2020, ardhja e miliona të tjerëve e kthen kohën demografike para Luftës së Dytë Botërore, kur ky vend kishte një pakicë të madhe ukrainase. Armiqësia ndëretnike, e cila kulmoi me një shkëmbim të detyruar të popullsisë pas luftës midis Polonisë dhe Bashkimit Sovjetik, është zvogëluar.

Në teori, refugjatët e ardhur duhet t’i japin një shtysë Polonisë. Partia Ligj dhe Drejtësi në pushtet ka qenë e prirur ta shtojë numrin e polakëve. Në vitin 2016, ajo kërkoi ta rriste shkallën e lindjeve duke u dhënë familjeve 500 zloty (115 dollarë) në muaj për çdo fëmijë të lindur pas fëmijës së parë. Efekti ishte kryesisht për t’i inkurajuar gratë që tashmë planifikonin të kishin fëmijë që t’i kishin ata më herët, në mënyrë që përfitimi të mos tërhiqej. Numri i lindjeve u rrit në dy vitet e para të skemës, por ra në vitin 2020 në nivelin më të ulët që nga viti 2003. Lufta e Ukrainës ka shtuar më shumë se një milion fëmijë në popullsinë e Polonisë, të paktën përkohësisht.

Vendet e tjera evropiane, veçanërisht ato me një diasporë të madhe ukrainase, do të përfitojnë. Ndoshta 1.5 milion refugjatë janë zhvendosur në vendet më në perëndim, duke përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Francën, sipas një vlerësimi nga Gillian Triggs i agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara. Para luftës, rreth 250,000 ukrainas jetonin dhe punonin në Itali, ku mosha mesatare është katër vjet më e lartë se në Evropë në përgjithësi dhe shkalla e lindshmërisë është ndër më të ulëtat. Në tre muajt e parë të këtij viti, popullsia e Austrisë u rrit me gjysmë pike përqindjeje në më shumë se 9 milionë; 83% e kësaj rritje vinte nga imigracioni ukrainas.

Për një rajon, të shqetësuar lidhur me rënien demografike, infuzioni rinor nga Ukraina mund të duket si një bekim, megjithëse është pasojë e një tmerri. Bizneset po raportojnë për mungesë të fuqisë punëtore. Në janar, mungesa e punëtorëve e kufizoi prodhimin në një të katërtën e ndërmarrjeve prodhuese dhe të shërbimit në eurozonë, sipas një sondazhi nga Komisioni Evropian.  Qeveritë po ankohen se një fuqi punëtore në tkurrje do të duhet ta mbështesë një numër gjithnjë e më të madh pensionistësh. Raporti i evropianëve në moshë pune (20-64 vjeç) ndaj atyre më të vjetër se 65 vjeç pritet të bie nga tre në një në më pak se dy në një deri në vitin 2070. Ky është lloji i problemit që mund të lehtësohet të paktën për një kohë me ardhjen e ukrainasve të aftë dhe trupshëndoshë.

Por sa kohë do të qëndrojnë ata? Dhe a do t’i bashkohen atyre edhe anëtarët meshkuj të familjes? Kjo varet nga ajo se sa kohë zgjat lufta dhe nga ajo se sa dëme i shkaktohet vendit të tyre.

Në luftën e Kosovës të vitit 1999, kur NATO e bombardoi Jugosllavinë për ta parandaluar brutalizimin ndaj shqiptarëve etnikë që përbëjnë shumicën e Kosovës, qindra mijëra shqiptarë etnikë u larguan, ose u zhvendosën me forcë, në Shqipërinë dhe Maqedoninë fqinje. Por kjo periudhë e luftës zgjati 78 ditë, pas së cilës kosovarët u kthyen shpejt në shtëpitë e tyre. Në të kundërt, lufta në Bosnje, e cila zgjati nga viti 1992 deri në 1995, bëri që rreth 700,000 refugjatë të ikin në Evropën Perëndimore dhe më gjerë, dhe shumë pak prej tyre u kthyen. Kjo është një arsye pse sot mendohet se ka 3.2 milionë njerëz ose më pak se kaq në Bosnje. Para luftës kishte 4 milionë.

Italia mund të pajtohet me disa të sapoardhur

Për momentin, ukrainasit mbeten të etur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Në të vërtetë, në ditët e fundit numri i të kthyerve përtej kufirit polak, me sa duket në vende relativisht të sigurta, të tilla si Kievi, kryeqyteti i Ukrainës, e ka tejkaluar numrin e atyre që niseshin në anën tjetër. Dhe disa industri kanë humbur punëtorë ndërkohë që të rinjtë ukrainas kthehen në shtëpi për të luftuar kundër pushtuesve rusë. Rritja e sektorit të ndërtimit të Sllovakisë, për shembull, është dobësuar nga një eksod i punëtorëve.

Mirëpo, nëse lufta zvarritet dhe fëmijët mësohen me shkollat e tyre të reja, nënat mund të ngurrojnë të kthehen në shtëpitë e tyre të mëparshme. Kjo do të jetë edhe më e vërtetë nëse ekonomia e Ukrainës nuk rimëkëmbet, duke i inkurajuar burrat të shkojnë drejt perëndimit, disa të ribashkohen me gratë e tyre. Në atë rast, shtimi i padëshiruar i popullsisë së Evropës në perëndim të Ukrainës mund të bëhet afatgjatë. Dhe, nëse qeveritë dalin të suksesshme në inkurajimin e të ardhurve për të gjetur punë që u përshtaten aftësive të tyre, ato do të kontribuojnë në prosperitetin e mikpritësve të tyre.

Shumë vende do të humbasin. Kroacia, popullsia e së cilës ka rënë me 600,000 banorë që nga viti 1991 në 3.9 milionë, sipas regjistrimit të saj të fundit, nuk ka gjasa të tërheqë shumë ukrainas. Rreth 11,000 kishin arritur në fillim të prillit. Serbia rusofile, popullsia e së cilës ka rënë me një të dhjetën që nga mesi i viteve 1990 në 6.9 milionë, gjithashtu nuk ka gjasa t’i tërheqë ukrainasit në një numër të madh.

Fitimet nga fluksi, aty ku ndodhin, mund të mos jenë afatgjata. Ndikimi më i madh në gatishmërinë e familjeve për të pasur fëmijë është besimi i tyre në ekonomi. Nataliteti në Evropë ka shënuar rënie me shpejtësi pas fillimit të pandemisë, por u rikuperua pasi qeveritë i hoqën bllokadat dhe investuan me para në ekonomitë e tyre. Agresioni i Putinit dhe rritja e inflacionit në të cilën ai ka kontribuar, i ka dhënë një goditje të re besimit të njerëzve.

Në muajin mars, pasiguria ekonomike mes konsumatorëve arriti nivelin më të lartë të regjistruar, sipas Komisionit Evropian. Pak njerëz mund të jenë të prirur që familjet e tyre të rriten në numër. Askush më shumë nuk mund të jetë më ngurrues se gratë ukrainase, mes të cilave nivelet e lindjeve ishin tashmë të ulëta, të cilat janë ndarë nga burrat e tyre dhe janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Luftërat ballkanike ia kanë grabitur rajonit disa prej më të mirëve dhe më të ndriturve të një gjenerate, si dhe pasardhësve të tyre. Ukraina mund të përballet me një fat të ngjashëm./The Economist

Përgatiti: Nuhi Shala