KFOR gjatë stërvitjeve, Foto: KFOR/Facebook
Si mund të reagojë NATO në rast të një sulmi të mundshëm ushtarak në Kosovë?
Dymbëdhjetë ditë janë bërë sot prej kur Rusia nisi një sulm “special ushtarak” në Ukrainë. Deri më tani, u raportuan qindra të vrarë e afër 2 milionë refugjatë ukrainas kanë nis ta lëshojnë vendin.
Ndërkohë, prej kur nisi lufta në Ukrainë, deklarime të diplomatëve evropian e perëndimorë kanë paralajmëruar se Rusia mund të mos ndalojë vetëm në Ukrainë, por se agresioni i saj mund të përfshijë edhe disa vende fqinje të Ukrainës, e duke mos përjashtuar mundësitë për destabilizim edhe në Ballkanin Perëndimor.
Së fundmi, zëvendësministri i ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Shemsi Syla tha se “kanë informacione të sigurta se Serbia është duke i ftuar për mobilizim rezervistët serbë në Kosovë, që të jenë të gatshëm për një konflikt eventual”.
Rrezik për një destabilizim, i cili mund të përfshijë Kosovën, kanë parashikuar edhe ekspertë ushtarakë. Sipas tyre, pikë kritike mbetet veriu i vendit.
Por, cili mund të jetë reagimi i misionit të NATO-s në Kosovë në rast se vendi ynë sulmohet ushtarakisht dhe a mund të konsiderohet si sulm mbi NATO-n?
Në përgjigje të kësaj pyetje, Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO tha se neni i 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut zbatohet vetëm për vendet anëtare të kësaj organizate të sigurisë.
“Klauzola e mbrojtjes kolektive e parashikuar në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit, në përgjigje të një sulmi të armatosur, zbatohet vetëm në rast të një sulmi kundër një anëtari të NATO-s”, thuhet në përgjigjen e NATO-s për KALLXO.com.
Kosova ende nuk është anëtare e NATO-s.
“KFOR-i ka një qëndrim fleksibël dhe të dukshëm në terren, i cili mundëson trajtimin e menjëhershëm të çdo zhvillimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë”, tha tutje një zyrtar i NATO-s.
Tutje, organizata më e madhe në botë për siguri konfirmoi se në vendin tonë bashkëpunon me forcat e rendit të Kosovës dhe me EULEX.
“Misioni ynë vazhdon të operojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përputhje me konceptin e “përgjigjes së parë” dhe të dytë, respektivisht, përgjatë tri shtresave të reagimit të sigurisë ndaj krizave”, thuhet tutje në përgjigje.
Sipas Aleancës Veri-Atlantike, politika e NATO-s në lidhje me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor “ka qenë e pandryshyeshme gjatë gjithë kohës dhe kështu mbetet edhe sot”.
Aktualisht, forca ushtarake e KFOR-it në Kosovë numëron mbi 3 mijë e 700 ushtarë nga 28 vende të ndryshme, anëtare të NATO-s.
“Paraqitja e KFOR-it përfshin dy Komanda Rajonale (Perëndim dhe Lindje), një njësi të specializuar shumëkombëshe, një batalion rezervë taktik, një grup mbështetës të shtabit, një grup të përbashkët për mbështetje logjistike dhe një batalion të inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit”, ka konfirmuar NATO për KALLXO.com.
Prej disa ditësh, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj nisi një fushatë në formë kërkese në rrjete sociale duke thënë se “është koha që Kosova të anëtarësohet në NATO”.
Kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në NATO e përmenden edhe krerët e institucioneve të vendit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.
Deri më tani, mbështetje për anëtarësim në NATO, Kosovës i ka ardhur nga tre shtete, Turqia, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut.
Ndërkaq, në një përgjigje për KALLXO.com, Ambasada e Amerikës në Kosovë tha se “ShBA mirëpret aspiratën e Kosovës për NATO, sygjeron fokusim në planin 10 vjeçar të FSK-së”.
SHBA mirëpret aspiratën e Kosovës për NATO, sygjeron fokusim në planin 10 vjeçar të FSK-së