Shtyhet protesta e punëtorëve të KEK-ut

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka shtyrë protestën lidhur me rritjen e pagave dhe pagesën e fundjavës për punëtorët me ndërrime.

Protesta ishte planifikuar të mbahej sot nga ora 11:00.

Këtë e kanë konfirmuar vetë ata përmes një njoftimi zyrtarë duke thënë se arsyeja e mosmbajtjes së kësaj proteste të thirrur është që shpresojnë në realizimin e kërkesave të tyre.

“Sot, pas një takimi të gjatë me kryesuesin e bordit drejtues dhe menaxhmentin e KEK-ut, kemi arritur në një marrëveshje që na jep shpresë dhe besim se kërkesat tona do të realizohen. Kryesuesi i bordit drejtues dhe menaxhmenti i KEK-ut është zotuar për të kryer kërkesat tona dhe ka premtuar se do të vazhdojë dialogun me sindikatat për të adresuar çështjet e punëtorëve në mënyrë të drejtë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje ata janë shprehur se këto janë vetëm premtime dhe se janë të gatshëm për të vazhduar me veprime të tjera sindikale nëse kërkesat e tyre nuk realizohen.