Zyrtari i Policisë së Kosovës Foto: Naser Fejza/ KALLXO.com

Shtesat e rrezikshmërisë i konsiderojnë të ulëta, Sindikata e Policisë del me dy kërkesa

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka dalë me kërkesa për shtesat për rrezikshmëri. Ata kanë vlerësuar se propozimi i Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë janë të ulëta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë e Policisë.

Propozimet e Qeverisë së Kosovës për shtesat e rrezikshmërisë për të gjitha njësitë, Sindikata i ka quajtur të papranueshme dhe diskriminuese.

Nga takimi i këtij këshilli dolën dy kërkesa.

“Shtesa për rrezikshmëri të mos mbetet më e ulët se ajo që është pranuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, që ka qenë në shtatë nivele duke filluar nga 105 euro dhe më larta 215 euro, ose me përqindje në pagën bazë duke filluar nga 25% deri në 50%” – thuhet në kërkesën e parë.

“Ndërsa për stafin civil, koeficienti të harmonizohet me vendin e punës dhe profesionet që i kryejnë” – theksohet në kërkesën e dytë.

Ata kanë kërkuar që kërkesat të realizohen sa më parë pasi që pakënaqësia e policëve është e madhe.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës që është mbajtur më 27 tetor, kryeministri Kurti ka prezantuar shtesat për të gjitha njësitë.

“Shtesat për njësitë elitare, Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt janë nga 150 euro shtesë të pagës bazë, 120 për njësitë operative K9 dhe Njësia për eksplozivët dhe deminim, pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat që njeherit përbejnë numrin me të madh të Policisë do të marrin ka 60 euro shtesë kurse Policëve që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve do të ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”- kishte deklaruar Kurti.

Ai ka njoftuar se shtesat do të fillojnë nga muaji nëntor.