ShSKUK reagon pas arrestimit të tre mjekëve të dyshuar në rastin e vdekjes së foshnjes në Prizren

Tre mjekë kanë rënë në pranga të Policisë së Kosovës pas vdekjes së një foshnje në Spitalin e Prizrenit.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka reaguar sot duke thënë se po trajton me prioritet të lartë rastin nëse ka pasur shkelje të procedurave standarde gjatë punës së stafit mjekësor.

Sipas ShSKUK-së, janë duke pritur raportin e ekspertëve mjeko-ligjorë, për të konstatuar e konkluduar mbi shkaqet dhe rastin.

Andaj, shtojnë se aktualisht nuk mund të konkludohet nëse mjekët që kanë trajtuar rastin, ndonëse janë arrestuar, kanë kryer veprim që ka shkaktuar rrezik jete.

“Raportet profesionale, për çdo rast me fatalitet që ndodh në kushtet spitalore, janë element kyç për të verifikuar nëse mjeku ka shkelur procedurat apo nuk ka vepruar sa e si duhet. Pa këto raporte çdo konkluzion mbetet jo vetëm i pabazuar, por arbitrar” – thuhet në komunikatën e ShKUK-së.

KALLXO.com ka raportuar më 28 qershor se tre mjekë janë arrestuar pas vdekjes së një foshnje në Spitalin e Prizrenit.

Mjekët e arrestuar po dyshohet se kanë kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.

Sipas njoftimit policor, një burrë ka informuar se pas lindjes së gruas së tij, pas disa minutave foshnja ka vdekur.

Ankuesi, sipas PK-së po dyshon se kjo ka ardhur si pasojë e mostrajtimit të duhur nga stafi mjekësor.

Ngjarja është thënë se ka ndodhur më 27 qershor, rreth orës 03:50 në mëngjes.

Policia ka thënë se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërsa, sipas PK-së tre të arrestuarit e dyshuar janë dërguar në mbajtje.

 

Vdes një foshnje në Prizren, arrestohen tre mjekë të dyshuar