ShSKUK nënvlerësoi buxhetin e Kosovës me afro 8 milionë euro

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës nuk ka regjistruar afër 8 milionë euro në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK).

Sipas raportit të auditorit, shuma prej 7,909,162 euro, që ishin paguar te palët e treta, nuk janë regjistruar në këtë sistem.

Ky mosregjistrim ka ndikuar që Ministria e Financave të mos ketë njohuri për këto pagesa dhe Raportin Vjetor Financiar i Buxhetit të Kosovës të nënvlerësohet për këtë shumë.

Ky mosregjistrim është bërë për shkak zyrtarët përgjegjës nuk ishin në njohuri rreth kërkesave ligjore për regjistrimin e palëve të treta në këtë sistem.

Sipas nenit 9.6 të Rregullores 01/2017 për Pasqyrat Financiare Vjetore të Organizatave Buxhetore “Të gjitha pagesat nga palët e treta duhet të regjistrohen në SIMFK në harmoni me procedurën përkatëse dhe të prezantohen në pasqyrat financiare”.

Auditori ka rekomanduar që Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm duhet të sigurojnë që pagesat nga palët e treta regjistrohen në SIMFK.