ShSKUK lidh bashkëpunim me një shoqatë italiane për trajtim osteopatik në Pediatri

Një memorandum bashkëpunimi mes Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës dhe një shoqate italiane pritet të mundësojë realizimin dhe organizimin e trajtimeve osteopatike për fëmijët në Klinikën e Pediatrisë së QKUK-së.

Trajtimet osteopatike nënkuptojnë trajtimin e problemeve mjekësore duke shtypur dhe lëvizur në mënyrë manuale muskujt dhe kockat.

ShSKUK njofton se përmes këtij bashkëpunimi me shoqatën “KAIROS Osteopatia e Medicine Integrata”, mjekët italianë do të trajtojnë fëmijët në Kosovë dhe në të njëjtën kohë do të trajnojnë profesionistët shëndetësor të QKUK-së në Kosovë dhe në Itali.

“Në emër të drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Elvir Azizi, Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të QKUK-së, Osman Hajdari si dhe kryetari i shoqatës ‘KAIROS Osteopatia e Medicine Integrata’, dr. Tomaso Ferron” – thuhet në njoftim.

Osman Hajdari tha për KALLXO.com se në fund të marsit 2024 do të marrin edhe një pajisje për këtë trajtim, përmes KFOR-it italian.

Ky bashkëpunim është në kohëzgjatje prej dy vitesh.