Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës - ShSKUK

ShSKUK hap konkurse për shef të prokurimit dhe drejtorë të spitaleve në Ferizaj, Gjakovë dhe Mitrovicë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka hapur konkurset për drejtorë të spitaleve në Ferizaj, Gjakovë dhe Mitrovicë.

Po ashtu, konkurs është hapur edhe për pozitën shef i prokurimit.

Kandidatët për drejtorë të spitaleve duhet të kenë arsim të lartë universitar në fushat e shkencave mjekësore, juridik, ekonomik ose administratë publike dhe së paku katër vite përvojë pune profesionale, prej tyre dy vite në pozita udhëheqëse.

E për kandidatët për shef të prokurimit, kërkohet arsimi i lartë universitar dhe së paku 3 vjet përvojë pune profesionale në prokurim. Po ashtu kërkohet certifikata e avancuar profesionale për prokurim lëshuar nga organi kompetent.

Sipas konkurseve, diplomat e secilit kandidat duhet të kenë të paktën 240 kredi.

Aktualisht, këto pozita mbahen nga ushtrues detyrash, përveç Spitali i Ferizajt, i cili nuk ka as ushtrues detyre, pas dorëheqjes së u.d. Drejtorit të Spitalit, Selajdin Sallahu.

Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi tha për KALLXO.com se së shpejti do ta emërojë një ushtrues detyre, deri në përzgjedhjen e drejtorit të ri përmes konkursit.

Spitali i Ferizajt ka dy vjet e pesë muaj që nuk ka drejtor të rregullt, por është udhëhequr nga tre ushtrues detyre të ndryshëm.

Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, zyrtari publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre më gjatë se 6 muaj, e kur pozita nuk mund të plotësohet brenda këtij afati, ai mund të zgjatet më së shumti edhe për 6 muaj të tjerë.

Madje, sipas këtij neni, çdo vendim i marrë nga ushtruesi i detyrës, pas kalimit të këtij afati një-vjeçar është i paligjshëm.

Ndërkaq, Spitali i Gjakovës udhëhiqet nga Haxhi Shala, që nga shtatori 2023, pas shkarkimit të ish-drejtorit, Jeton Zarari.

Ish-drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj në nëntor 2023. Ky institucion tani është nën udhëheqjen e Laura Nushit, ushtruese e detyrës së drejtoreshës.

Në krye të Divizionit të Prokurimit në ShSKUK është Selami Krasniqi.