Shqipëria dhe Kosova në zi për viktimat nga tërmeti

 

Shqipëria dhe Kosova sot janë në zi kombëtare për shkak të jetëve të humbura nga tërmetet që goditën Shqipërinë natën mes 25 e 26 nëntorit.

Në të gjitha institucionet flamujt janë ulur në gjysmështizë, ndërsa në Kosovë janë anuluar edhe aktivitetet festive për nder të Ditës së Flamurit.

Tërmeti goditi kryesisht qytetin e Durrësit dhe zonën e Thumanës ku u shembën disa pallate.

Bilanci i viktimave fatkeqësisht pritet të rritet pasi ka ende persona nën rrënoja.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur të mërkurën, 27 nëntor 2019, ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë

“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e presidentit Thaçi.

Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

FOTO- Kërkimet nën rrënoja në Durrës

.