Shpalosen gjetjet e misionit faktmbledhës për sigurinë e gazetarëve në Kosovë

Organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve për dy ditë me radhë, më 15 dhe 16 nëntor, kanë qëndruar në Kosovë në një mision faktmbledhës lidhur me lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.

Sipas gjetjeve të prezantuara gjatë kësaj konference, shqetësuese mbeten sulmet që u bëhen gazetarëve dhe mediave të ndryshme nga zyrtarë shtetërorë, politikanë e persona të lidhur me partinë në pushtet.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave thanë se gjatë misionit faktmbledhës kanë pasur takim me gazetarë kosovarë, zyrtarë të Qeverisë, gjykatave e institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare.

Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias tha se përveç gjetjeve pozitive lidhur me avancimin e lirisë së shtypit, të kornizës ligjore për mbrojtjen e gazetarëve e zhvillimeve pozitive në transmetuesin publik (RTK), shqetësuese mbetet gjuha denigruese e politikanëve dhe njerëzve të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje ndaj mediave e gazetarëve.

Sipas saj, ndonëse ka progres në shumë fusha, siguria e gazetarëve, pandëshkueshmëria, mostrajtimi i rasteve të gazetarëve që figurojnë të zhdukur, problemet në qasjet në informacionin në gjuhë serbe e mostransparenca e Qeverisë aktuale, vazhdon të jetë një prej sfidave kryesore që përballen gazetarët.

“Përfaqësuesit e medieve kanë theksuar sidomos një retorikë toksike dhe përçarëse dhe kampanja denigruese të drejtuara kundër gazetarëve dhe medieve nga disa politikanë dhe figura publike, përfshirë nga Vetëvendosja, partia në pushtet, gjë që krijon një klimë armiqësore ndaj gazetarëve. Sipas disa prej tyre kjo është Qeveria më jotransparente”- tha ajo

Pavol Szala nga ‘Reporterët pa kufi’ tha se sulmet verbale të politikanëve ndaj gazetarëve krijojnë një klimë të pasigurt që mund të nxisë kërcënimet fizike dhe kanosje ndaj gazetarëve.

Roberta Taveri nga “Article 19” potencoi si shqetësues mostransparencën e Qeverisë. “Kjo çështje e ngritur nga gazetarët (mostransparenca) duhet të përmirësohet, pasi qasja në informacion është edhe obligim i Qeverisë” – tha ajo.

Ndërkaq, Ricardo Gutierrez nga ‘European Centre for Press and Media Freedom’ tha se ka mbetur i shokuar nga deklaratat dhe sulmet linçuese të disa politikanëve ndaj gazetarëve e mediave. “Retorikat linçuese e ndarja e mediave në disa të mira e disa si të këqija, është tregues se Qeveria po bën të kundërtën e asaj që duhet të bëjë”-potencoi ai.

Jamie Wiseman nga ‘International Press Institute’, tha se liria e mediave në Kosovë ende përballet me sfida, sikurse, siguria e gazetarëve, financimi i transmetuesve publikë e mostransparenca. Kurse, Attila Mong nga ‘Committee to Protect Journalists’ pohoi se nuk janë shënuar përparime e pritura në ndjekjen e rasteve të sulmeve dhe kërcënimeve fizike ndaj të gazetarëve.