Shoqëria civile në Prizren i kërkojnë Haskukës shkarkimin e 3 drejtorëve me aktakuzë

Gjashtë Organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit shkarkimin e tre drejtorëve komunalë ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kallxo.com ekskluzivisht me datë 3 dhjetor ka raportuar për aktakuzën e ngritur ndaj tre drejtorëve të Komunës  së Prizrenit, të cilët po akuzohen se dhanë pronën komunale në shfrytëzim në mënyrë të kundërligjshme.

Levent Kasëmi (LVV), Drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi (LDK), Drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Refik Shaqiri (NDS), Drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi, vazhdojnë të mbajnë detyrat aktuale ku janë emëruar nga Haskuka në fillim të mandatit.

Pos tre drejtorëve , të akuzuar janë edhe asamblistja  nga Nisma Social Demokrate Ganimete Babuna dhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “ Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtarë i shoqërisë civile në Komision për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.

Aktakuza ka të bëjë me Tenderin Publik për lokalet që janë pronë e Kuvendit Komunal në Prizren të cilat Komuna e Prizrenit i jep në shfrytëzim me qira.

Organizatat e shoqërisë civile EC Ma Ndryshe, Fondacioni për Trashëgimi Kulturore – Legatum, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), IPSIA, THY dhe X40 kanë dalur me  komunikatë të përbashkët drejtuar kryetarit të Komunës Mytaher Haskuka.

Haskuka aktakuzën ndaj tre drejtorëve po e quan tentativë për bllokim të Komunës që udhëheq duke thënë se kjo aktakuzë po ia pamundëson punën Komunës së Prizrenit.

Në një situatë të ngjashme, Komuna  e Prizrenit ishte edhe në gusht të këtij viti, kur ndaj  drejtorit të dorëhequr të financave Ertan Simitçi ishte ngritur aktakuzë, ndërsa kërkesën për shkarkimin e tij e kishte mbështetur Ambasada Amerikane.

Vetëm pak ditë më vonë kishte ardhur edhe dorëheqja e ish- drejtori Simitçi, ndaj të cilit është duke u zhvilluar procesi gjyqësor.

Organizatat thonë se marrë parasysh mungesën e vullnetit individual të drejtorëve për të reflektuar në dhënien e dorëheqjes, “ Organizatat e poshtëshënuara të Shoqërisë Civile, kërkojnë nga kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka ndërmarrjen e veprimeve konkrete në shkarkimin e vartësve të tij ose kërkimin e dorëheqjes së tyre” .

“Organizatat e Shoqërisë Civile kujtojnë se premtimet elektorale të kryetarit Haskuka ishin në vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional. Pasi që në rastin e drejtorit të drejtorisë për ekonomi dhe financa është zbatuar praktika e dorëheqjes, kërkojmë që edhe në këtë rast tre drejtorët komunalë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare të dorëhiqen ose të shkarkohen nga postet e tyre deri në vendimin e Gjykatës”, thuhet në njoftim.