Mytaher Haskuka - Foto: KALLXO.com

Mytaher Haskuka reagon pas ngritjes së aktakuzës ndaj 3 drejtorëve të tij

Tre drejtorë komunalë të Prizrenit po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se sipas informacioneve Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Levent Kasëmit (LVV), drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashit (LDK), drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Refik Shaqirit (NDS), drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi.

Aktakuzën e ngritur kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, po e quan tentativë për bllokim të Komunës që udhëheq.

“Pas shikimit të rastit na del që një proces “ADMINISTRATIV” i cili ka qenë sipas Ligjit nr. 04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, me kritere të shpallura publike, në afatet kohore të parapara, me kritere transparente të vlerësimit, me anëtarë të Komisionit të cilët janë votuar nga Asambleja Komunale, pa asnjë provë për keqpërdorim, ngrihet aktakuzë ngase kanë bërë vlerësimet e tyre në komision”, thuhet në reagimin  e Haskukës.

Tutje ai shton se kjo aktakuzë po ia pamundëson punën Komunës së Prizrenit.

“Kjo na bën të qartë që kjo aktakuzë është bërë për ta pamundësuar punën e Komunës së Prizrenit. Tani e tutje çdo anëtar i komisioneve do të jetë i rrezikuar për vlerësimet që i bën sipas kritereve. Pra paradoksi i veçantë është që anëtarët e një komisioni akuzohen pa asnjë provë që kanë respektuar kriteret e shpallura të ankandit publik. Nëse kjo aktakuzë merret si e bazuar, tani e tutje asnjë person nuk do të pranojë të jetë anëtar i komisioneve dhe kjo nënkupton që në të ardhmen jo vetëm Komuna e Prizrenit por të gjitha institucionet e Kosovës do të bllokohen në punën e tyre”, thuhet në reagimin e Haskukës.

Ngritet aktakuzë ndaj tre drejtorëve të Haskukës

Ai madje thotë edhe se aktakuza ka pasur gabime bazike.

“Për më tepër aktakuza pos gabimeve bazike logjike ka edhe gabime konceptuale. Komisioni për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës Publike për çështje “transparence” është votuar nga Asambleja dhe aty pos drejtorëve, janë edhe asamblistët dhe anëtar i shoqërisë civile. Pra, ju vihet në dije gjithë atyre që bashkëpunojnë me Komunën që mund të jenë target potencial për punën e tyre”, ka reaguar Haskuka.

Sipas tij ‘prokurori me qëllim apo pa qëllim nuk e thekson që neni 3 paragrafi 11 i Ligjit nr. 04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme parasheh që “fituesi të zgjedhet në bazë të çmimit dhe në raste specifike kritereve të tjera të përcaktuara në ankand”’.

Tutje ai shton se Komuna e Prizrenit duke marrë parasysh faktin se lokalet, të cilat janë dhënë në shfrytëzim gjenden në Qendrën Historike të Prizrenit ka bërë disa kritere ashtu siç parashihet sipas ligjit.

“Në bazë të vlerësimit të kritereve dhe të çmimit janë përzgjedhur fituesit. Në rastin në fjalë nuk ka asnjë vërejtje lidhur me procesin e vlerësimit. Pra, komisioni ka bërë punën sipas kritereve. Sikur këto kritere të ishin vendosur gabimisht, palët të cilët pretendojnë se Komuna i ka shkelur të drejtat dhe nuk ka zbatuar drejtë Ligjin dhe udhëzimet administrative, kanë pasur mundësi ligjore që të drejtat e tyre t’i mbrojnë në procedura administrative dhe gjyqësore, pa pasur fare nevojë që kjo çështje të jetë objekt shqyrtimi nga ana e Prokurorisë së Shtetit”, thuhet në reagimin e kryetarit të Prizrenit.

Sipas tij ankuesi nuk ka përdorur të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj për mbrojtjen e të drejtave të tij në procedura administrative, e veçanërisht nuk ka hapur konfliktin administrativ, por i është drejtuar Prokurorisë.

“Prokuroria nuk është organ kompetent i cili vlerëson se a janë zbatuar drejtë këto procedura dhe a janë vlerësuar drejtë ofertat. Prokuroria është që të vlerësojë se në këtë rast cilido nga anëtarët e komisionit eventualisht ka kryer vepër penale, ku fillimisht do të duhej të ofrojë prova bindëse se ndonjëri nga anëtarët e komisionit ose të afërmit e tyre kanë përfituar nga veprimet e tyre si anëtarë të komisionit”, thotë Haskuka.

Sipas Haskukës, Prokuroria nuk ka theksuar se ndonjëri nga anëtarët e komisionit ka përfituar, ndërsa ngrit dyshimet se si mund të vihet në përfundim se të njëjtit kanë kryer vepër penale.

“Pra këtu një çështje administrative po trajtohet si vepër penale. Por në Prizren nuk është hera e parë që Prokuroria ndalon veprimet administrative të Komunës me veprime jashtëligjore. Tek ne, inspektorët persekutohen sepse implementojnë ligjin dhe rrënojnë objektet pa leje, derisa policët pa vendime të shkruara ndalojnë inspektorët në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, dhe pas 24 orëve nuk dorëzojnë vendimet me të cilat kanë bllokuar Komunën. Dhe në vend të kësaj, dalin në konferenca për shtyp. Në anën tjetër, Gjykata e Krimeve të Rënda intervenon në vendimet e Gjykatës, seancat për paditë që i dorëzon Komuna nuk mbahen me vite, ndërsa paditë e palëve kundër Komunës përfundojnë në afate rekorde”, ka thënë Haskuka.

Ai madje e tregon edhe një rast kur një hetues e ka thirrur për intervistim.

“Përndryshe në njërën nga intervistat që isha i thirrur në hetuesi, njëri nga hetuesit më pat kërkuar falje duke u arsyetuar që janë në presion të vazhdueshëm që të ngrisin padi ndaj meje, prandaj çdo vendim i imi hetohet. Plani i tyre ishte që në një afat sa më të shkurtë të ngrihet padi ndaj meje, ashtu që të jap dorëheqje dhe që Prizreni t’i kthehet atyre që e kanë ngulfatur qytetin”, tregon ai në reagimin e tij.

KALLXO.com raportoi sot se të tre drejtorët po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën derisa ishin anëtarë të komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit.

Pos tre drejtorëve, të akuzuar janë edhe Ganimete Babuna, asambliste nga Nisma Socialdemokrate dhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “ Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtarë i shoqërisë civile në Komision.

Aktakuza ka të bëjë me Tenderin Publik për lokalet që janë pronë e Kuvendit Komunal në Prizren të cilat Komuna e Prizrenit i jep në shfrytëzim me qira.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i Komisioni ka qenë akuzuari drejtori Levent Kasëmi, e zëvendës kryetar i Komisionit ka qenë drejtori Fejzë Kabashi.