Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Shoqëria civile dhe opozita në Gjakovë kundërshtojnë emërimin e komisionit për pronën komunale

Shtatë organizata të shoqërisë civile dhe opozita në Gjakovë e kanë kundërshtuar emërimin e anëtarëve të komisionit për shqyrtimin e ankesave në procedurën e dhënies në shfrytëzim të pronës komunale.

Të hënën, Kuvendi Komunal i Gjakovës ka zgjedhur 5 anëtarë të këtij komisioni.

Nënkryetari i  Gjakovës, Flamur Fetahaj, para propozimit të anëtarëve tha se dy anëtarë i takon ekzekutivit t’i propozojë, dy Asambleja Komunale dhe një nga shoqëria civile.

Por, pas propozimit të emrave, Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi emrin e propozuar si anëtare e shoqërisë civile, pasi sipas tyre, ishte politike.

“Për më keq, në kuadër të keqpërdorimit të pushtetit, qeverisja e Aleancës në Gjakovë, duke u thirrur në emër të shoqërisë civile, si propozim për komisionin e ankesave në dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, solli emrin e një militanteje partiake duke përmbushur 100% ndikimin politik në këtë komision”, u tha në reagimin e Vetëvendosjes.

Opozita atje gjithashtu bëri të ditur se do të drejtohen me ankesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

“Kujtojmë që lista e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit lokale ka marrë përfaqësimin me 10 anëtarë të Kuvendit Komunal kundrejtë AAK-së si subjekti i parë që ka 11 antarë, andaj mundësia e përfaqësimit në mekanizmat komunalë përmes numrave të koalicioneve dhe pazareve politike, asnjëherë nuk mund të jetë më e fuqishme se sa vullneti i qytetarëve që përmes votës së lirë na ka dhënë përgjegjësi përfaqësimi”.

Ndërsa sot, emërimin e anëtarëve të këtij komisioni e kanë kundërshtuar edhe 7 organizata të shoqërisë civile në Gjakovë.

Activism Roots, Femrat Aktive të Gjakovës, Medica Gjakova, Rrjeti Qeliza, SHEPF Gjakovë, Shtëpia e Sigurt dhe Democracy Plus përmes një reagimi publik thanë se Asambleja Komunale nuk i ka kontaktuar për të propozuar emrat.

“Ne jemi të shqetësuar me mënyrën e përzgjedhjes së antëtarëve të komisionit e specifikisht të përfaqësuesit të shoqërisë civile në këtë komision.Përzgjedhja e anëtarit të shoqërise civile pa u diskutuar me organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile, nuk i kontribuon procesit e aq më pak transparencës nga asambleja komunale e Gjakovës”, thuhet në reagimin e shoqërisë civile.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Gjakovës për pretendimet e opozitës atje, por deri në momentin e publikimit të shkrimit, Komuna nuk është përgjigjur.

Gjithashtu, është kërkuar sqarim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të një komisioni komunal, por deri në publikim, MAPL-ja nuk ka kthyer përgjigje.