Foto: REL

Shoqatat Sindikale për Ligjin e Pagave: Stafi politik po avancohet, shërbyesit civilë po diskriminohen

Projektligji për Pagat në sektorin publik, i cili ka nxituar reagime të shumta gjatë muajve të fundit në Kosovë, është kritikuar sot nga Shoqatat sindikale të shërbyesve civilë të institucioneve qendrore.

Sipas tyre ky projektligj i cili tani ka përfunduar edhe fazën e konsultimeve publike “nuk ka rrjedhë logjike”.

Ali Sefaj, përfaqësues i Shoqatës Sindikale të Shërbyesve Civilë ka prezantuar sot komentet që ata kanë për këtë projektligj.

Sipas tij përmes këtij projektligji janë avancuar stafi politik, ndërsa janë diskriminuar zyrtarët profesional.

“Ligji i pagave për koincidencë do të duhej të kishte karakter jo diskriminues, pra të parashihte pagë të njëjtë për punë të njëjtë. Për koincidencë më këtë projektligj janë avancuar stafet politike ndërsa zyrtarët profesional që duhet të kryejnë punë të përditshme kanë vend të numëruar”- ka thënë Sefaj.

Sipas Sefajt vlera e koeficientit do të duhej të ishte në përputhje me pagën minimale.

“Ligji nuk ka rrjedhë logjike për faktin sepse vlera e koeficientit do të duhej të ishte jo siç e kanë propozuar por të lidhej me pagën minimale”- ka thënë Sefaj.

Sefaj tutje ka thënë se gjatë rrugëtimit, është parë se pushtetet kanë luajtur me vlerën e koeficientit në varësi të situatës.

“Përcaktimi i vlerës se koeficientit me Ligjin e Buxhetit iu krijon mundësi qeverive në vazhdimësi të luajnë me pagat e sektorit publik, të rrezikojnë mirëqenien e administratës shtetërore dhe të abuzojnë me vlerën e koeficientit në vitet zgjedhore”- ka thënë ai.

Sefaj ka thënë se të njëjtat komente i ka adresuar edhe në platformën online të konsultimeve publike.

Ai këto komente i prezantoi sot në një diskutim publik të mbajtur nga Shoqatat Sindikale të Shërbyesve Civilë të institucioneve qendrore lidhur me tri projektligje – për Zyrtarët Civilë, atë për Paga dhe për KPMSHCK-në.

Projektligji për Paga në Sektorin publik ka përfunduar fazën e konsultimeve publike më 6 tetor 2022.

Në konsultimin publik të projektligjit mund të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara përfshirë organizatat e shoqërisë civile, por edhe qytetarët.

Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se gjatë fazës së konsultimeve publike, MPB ka pranuar komente nga shumë institucione, shoqëria civile, sindikatat dhe qytetarë.

MPB nuk kanë dhënë ndonjë datë kur pritet që projektligji t`i dërgohet për miratim Qeverisë.

“Këto komente janë duke u shqyrtuar nga zyrtarët përgjegjës të MPB-së. Pas adresimit të komenteve, Projektligji do të dërgohet për vlerësim të ndikimit financiar si dhe për vlerësim të përputhshmërisë me acqui të BE-së. Pas përfundimit të këtyre procedurave, Projektligji do të procedohet në Qeveri për shqyrtim dhe votim”- thuhet tutje në përgjigjën e MBP-së për KALLXO.com.

Për Ligjin e Pagave përveç Shoqatave Sindikale të Shërbyesve Civilë të institucioneve qendrore, komente ka dërguar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës, dhe Kulturës.

Sipas komenteve të adresuara përmes platformës online të konsultimeve publike, SBASHK ka kërkuar që vlera monetare e koeficientit si fillim të jetë 130 euro dhe të caktohet me këtë ligj.

Një tjetër kërkesë e tyre ka të bëjë me nenin 6  të projektligjit për paga që flet për rritjen e pagës bazë.

“Pika 5 të formulohet në ketë formë: Paga bazë rritet në bazë të përvojës së punës në masën prej:Nga 1 deri 15 vite përvoje  (0.5%) për çdo vit të plotë pune, nga 16 deri 30 vite përvoje (0.75 %) për çdo vit të plotë pune, nga 31 deri 45 vite përvoje ( 1 %) për çdo vit të plotë pune”- thuhet ndër të tjera në komentin e SBASHK.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), më 1 tetor 2022 ka njoftuar zyrtarisht se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në administratën publike dhe arsim deri në janarin e vitit 2023.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, pati deklaruar se greva nuk do të ndërpritet por do të pezullohet.

Njëra nga kërkesat e sindikalistëve ka qenë rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga.

Gjatë muajit të shkurt në publik doli drafti i projektligjit fillestar, në të cilin parashiheshin koeficientet e pagave në institucionet publike, por jo edhe vlera e koeficientit.

Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.

Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.