Ilustrim

Shoqata e Mullisëve thonë se kanë mjaftueshëm rezerva të grurit

Situata e krijuar pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë nuk pritet të ketë ndikime në furnizimin me grurë në Kosovë. Sipas Muhamet Farizit, nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, qytetarët nuk kanë arsye për panik lidhur me mungesën e grurit.

Farizi për KALLXO.com tha se mullisët kanë sasi të konsiderueshme të grurit për ta punuar dhe furnizuar tregun.

“Panik nuk ka dhe nuk duhet me pas, dhe ju sugjeroj që të mos pranojnë panik, le të marrin prej profesionistëve informata, prej mullisëve kudo qoftë dhe mos të marrin informata prej vetëshërbimeve dhe prej tregtarëve që mundet me ju shërbyer në leverdi që tregtarët më fitu”, ka thënë Farizi.

Ai shpjegoi se në Kosovë prodhimtaria e grurit dorëzohet në mulli dhe u jepet pronarëve kur do që u nevojitet.

“E gjitha prodhimtaria e grurit në Kosovë dorëzohet nëpër mullinjtë dhe u jepet pronarëve të grurit në miell në momentin kur ju nevojitet, në biseda e sipër me të gjithë mullisët, sasinë e grurit që e kanë dorëzuar atë e kanë në disponim. Nëse ka prodhuar 10 ton grurë dhe ai nuk e shfrytëzon të gjithën, pjesën tjetër e ka në mulli, në disponim atëherë kur i nevojitet me ble, me marrë dhe me shit”, ka shtuar Farizi për KALLXO.com.

Tutje Farizi ka thënë se mullisët kanë shtuar interesimin që të furnizohen në mënyrë të konsiderueshme në mënyrë që edhe në rastet më të vështira, të ketë mjaftueshëm grurë për afat më të gjatë kohor.

Ai shtoi se në krahasim me vendet e rajonit, në vendin tonë çmimi grurit dhe bukës është shtrenjtuar më pak.

“Shtetet tjera, në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut dhe por edhe Serbi ata kanë pas shtrenjtime dy, tre herë prej fillimit të shtrenjtimit të grurit, ndërsa në vendin tona ka pasur shtrenjtime të vogla. Bukën e kanë shtrenjtuar vetëm 5 cent kryesisht dhe ata me siguri nuk kanë pasur qarkullim të mjaftueshëm sepse edhe konkurrenca mes tyre ekziston”, ka thënë Farizi për KALLXO.com.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2021 në Kosovë, rreth 66,000 hektarë tokë është e kultivuar me kulturë të grurit.

Në një përgjigje të MBPZ për KALLXO.com, thuhet se Kosova për vitin 2021 ka prodhuar rreth 274,922.70 ton grurë.

“Bazuar në raportin e korrje shirjeve të vitit 2021, duke pasur parasysh sipërfaqen e përgjithshme me kulturën e grurit prej 72,272.75 ha, e cila është korrur gjatë atij viti dhe rendimentin mesatar prej 3,804 kg/ha, Kosova për vitin 2021 ka prodhuar rreth 274,922.70  ton grurë”, thuhet në përgjigjen e Departamentin për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas tyre me sasinë e grurit të prodhuar në vitin 2021 Kosova arrin që t’i plotësojë nevojat me grurë në masën prej 67 për qind.

Nevojat ushqyese me grurë për popullatën e Kosovës janë rreth 200 kg për kokë të banorit për një vit, andaj për konsum vjetor nevojiten rreth 400,000 ton grurë, kanë thënë nga MBPZ për KALLXO.com.

Ndërsa sa i përket krizës Rusi-Ukrainë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati të shtunën (26 shkurt) në një konferencë për media kanë bërë të ditur se Kosova është e furnizuar me rezerva shtetërore se paku për tre deri në gjashtë muajt në vazhdim.

Ministri Murati ka kërkuar nga qytetarët që të mos bëjnë panik për mungesën e miellit si në marsin e vitit 2020 kur kishte filluar pandemia.

“Nuk ka vend për panik, jemi të furnizuar mjaftueshëm (me miell) dhe furnizohemi në vazhdimësi dhe kemi siguruar edhe kanale të tjera”, ka thënë Murati.

Albulena Kastrati, profesoreshë e ekonomisë, në #KallxoPërnime ka thënë se kriza Rusi-Ukrainë ka pasur ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare.

Kastrati tha se një krizë e tillë do të ketë ndikim edhe në ekonominë e Kosovës duke sjellë shtrenjtim të produkteve të ndryshme.

Një muajin janar të sivjetmë(2022), Kosova shkëmbeu mallra edhe me shtetin e Ukrainës, në të cilin vend tashmë ka shpërthyer edhe lufta

Një muaj para shpërthimit të luftës në Ukrainë, Kosova shiti mallra në këtë vend në vlerë 2 mijë euro. Në anën tjetër, të dhënat e ASK-së, bëjnë të ditur se mbi 2.5 milionë euro është vlera e mallrave që Kosova importoi nga shteti i Ukrainës vetëm në muajin 2022.

E Lufta në mes Ukrainës dhe Rusisë ka ndikuar në rritjen e çmimit të derivateve në botë.

Këtë e ka thënë për KALLXO.com, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, duke shtuar se rritja e çmimit të derivateve e ka prekur edhe Kosovën.

Sipas tij çmimi i derivateve mund të arrijë deri në 1 euro e 60 centë për litër.

Sot, është dita e gjashtë prej fillimit të sulmeve ruse në Ukrainë – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur një operacion “special” për “çmilitarizimin” e njerëzve.

Shtetet e Bashkimit Evropian, Britania e Madhe dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe morën sanksione ndaj Rusisë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët thotë se po merr raporte për njerëzit që po bllokohen të hyjnë nëpër trena në Ukrainë.

Një zëdhënëse shkroi në Twitter se UNHCR po e shqyrton këtë raport dhe se 422 mijë njerëz janë larguar nga Ukraina në drejtim të vendeve fqinje.