Shoqata e Mullisëve: Ka mjaftueshëm miell, Kosova nuk importon nga Rusia dhe Ukraina

Shoqata e Mullisëve të Kosovës pas takimit me kryeministrit Albinn Kurti kanë deklaruar se Kosova ka rezerva të grurit edhe për tre muaj të tjerë dhe se qytetarët nuk kanë arsye për panik.

Muhamet Farizi nga Shoqata e Mullisëve tha se sot kanë pasur një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe kanë konstatuar se ka sasi të konsiderueshme të grurit.

“Patëm takim të kryeministri dhe ministrat tjerë përkatës konstatuam që miell ka mjaftueshëm. Ka sasi të konsiderueshme që edhe për tre muaj tjerë të bluhen dhe të furnizohet popullata”, ka thënë Farizi.

Ai tha se mullinjtë  e Kosovës kanë importuar në kohë të duhur sasi të nevojshme të grurit.

“Importi i grurit dhe miellit vitin e kaluar ka qenë prej vendeve të afërta, po potencoi asnjë kilogram as grurë as miell nuk ka qenë të importuar as prej Rusisë as prej Ukrainës”, ka shtuar Farizi.

Ndërsa lidhur me rritjen e çmimeve të bukës dhe miellit nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu tha se çmimet aktuale të tregut që janë në Kosovë janë shumë më të lira se në rajon.

“Mos të hyjmë të bëjmë panik për qershor. Kemi arsyeshëm dhe mjaftueshëm miell dhe grurë në Kosovë dhe kjo nuk nënkupton që pas qershorit nuk do të bëjmë një zgjidhje tjetër deri atëherë. Do të përcjellim lëvizjet e bursës jashtë, siç lëviz jashtë do të jetë edhe këtu”, tha Zejnullahu.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që bujqve dhe fermerëve të subvencionohet me naftë në vlerë rreth pesë milion euro.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se shteti i tij do të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit nga e enjtja e 10 marsit.

“Në dy ditët e fundit, eksporti i grurit dhe miellit është rritur aq shumë, saqë duhet ta ndalojmë”, tha Vuçiq të martën.

Serbia pezullon eksportet e grurit, miellit, misrit e vajit