Foto: Komuna e Malishevës

Shkon në 127 numri i qytetarëve të helmuar nga ushqimi në një lokal në Malishevë

Ka shkruar në 127 numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore si rezultat i helmimit nga ushqimi në Malishevë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi.

Ai tha se pacientët kanë kryesisht simptoma të vjelljes, barkqitjes, ethe e temperaturë.

“Deri në këto momente 127 ka shku numri i pacientëve që kanë kërku ndihmë mjekësore si rezultat i helmimeve. Simptomat janë vjellje, barkqitje, ethe temperature kryesisht këto janë simptomat. Po kemi dërgu edhe sot pacientë në Prizren”- tha ai për KALLXO.com.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 64 kilogramë produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan dhjetëra qytetarë në Malishevë.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë se në këtë lokal janë marrë 5 mostra të produkteve ushqimore dhe 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar lidhur me helmimin e disa qytetarëve në Malishevë.

Ai ka thënë se mbrëmë ka vizituar të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK.

Sipas tij, gjendja e të gjithë të hospitalizuarave pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile.

Ndërsa, ka shtuar se Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha ka thënë se janë duke e monitoruar nga afër gjendjen e pacientëve që u helmuan mbrëmjen e kaluar me ushqim në një lokal.