Ilustrim

Shkarkohen drejtorët e burgjeve të Pejës dhe Prizrenit, dyshohen se fshehën ngacmimin seksual ndaj një të miture

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shkarkuar sot dy drejtorë të burgjeve në Kosovë.

Arif Beqa, drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Pejë dhe Heset Loku drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren janë shkarkuar pasi komisioni hetimor ka gjetur shkelje lidhur me një rast të ngacmimit seksual të një të miture në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

“Janë shkarkuar për shkak të një rasti të ngacmimit seksual që ka ndodhur në Lipjan dhe nuk kanë dhënë vërtetim në raport më atë çka ka ndodhur dhe komisioni hetimor ka gjetur shkelje dhe pastaj të njëjtin janë shkarkuar”, ka thënë Haxhiu.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e shkarkimit të Heset Loku dhe Arif Beqa.

Në këtë vendim thuhet se më 20.12.2021, Ministria e Drejtësisë ka pranuar raportin e hetimit nga ana e Komisionit hetimor përkitazi me ngacmimin seksual nga ana e mësimdhënësit të informatikës I.B ndaj të miturës S.H gjatë procesit mësimor që është zhvilluar në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan.

Bazuar në raportin e hetimit përkatës, rezulton se Heset Loku, në cilësi të Drejtorit të QKF-së në Lipjan, pas njoftimit për rastin e ngacmimit seksual në QKM në Lipjan ka emëruar një komision hetimor për hetim të këtij rasti dhe ky komision është shuar menjëherë pas emërimit nga ana e Loku, me arsyetimin se pas ngacmimit seksual, Loku kishte biseduar me të miturën S.H dhe nënën e saj, me ç’rast ishin marrë vesh që rasti të mbyllet dhe të mos procedohet tutje.

Me këtë rast Loku, sipas raportit të hetimit nuk kishte mbajtur asnjë shënim zyrtar.

Lidhur me këtë Loku, edhe pse ishte i njoftuar me rastin, nuk e ka njoftuar Drejtorinë Komunale për Arsim në Lipjan, pasi që personi i supozuar për ngacmim seksual ka qenë punëtor i arsimit DKA-së në Lipjan. Po ashtu Loku nuk e ka njoftuar as Drejtorin për Trajtimin e të Miturve në kuadër të Drejtorisë Qendrore të SHKK-së lidhur me rastin.

Ndërsa në vendimin e MD-së për shkarkimin e Arif Beqa thuhet se “më datë 20.12.2021 , Ministria e Drejtësisë ka pranuar raportin e hetimit të kryer nga Komisioni Hetimor përkitazi me ngacmimin seksual nga ana e mësimdhënësit të informatikës I.B ndaj të miturës S.H gjatë procesit mësimor në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan.

Bazuar në raportin e hetimit përkatës, rezulton se Arif Beqa, në cilësi të Drejtorit të QKM – së në Lipjan, pas njoftimit për rastin e ngacmimit seksual në QKM në Lipjan nuk ka ndërmarrë asnjë veprim me qëllim të hetimit të rastit të ndodhur në këtë Qendër Korrektuese, respektivisht nuk ka themeluar komision hetimor për hetimin e këtij rasti.

Me këtë rast Beqa, sipas raportit të hetimit nuk kishte mbajtur asnjë shënim zyrtar.