Ceremonia e Diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës. FOTO: Arjana Berisha, KALLXO.com

Shefi i EULEX-it e quan të papranueshëm frikësimin e policëve të Kosovës nga radhët e komuniteteve joshumicë

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar lidhur me shënjestrimin e policëve të komunitetit serb që sapo i janë bashkuar Policisë së Kosovës.

Barbano tha se çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe se është e rëndësishme që Policia e Kosovës të reflektojë dhe përfaqësojë tërë popullin e Kosovës.

“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapodislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet joshumicë” – ka shkruar Barbano në Twitter.

KALLXO.com sot ka raportuar se si një faqe serbe në rrjetin social Telegram ka publikuar një listë prej pesë personave me emra dhe fotografi që së fundmi kanë diplomuar në Policinë e Kosovës, duke thënë se ky veprim nga ana tyre nuk është i mirë pasi nga ky institucion po arrestohen qytetarët serbë.

“Kuptohet që lista nuk është e plotë, e a do ta publikojmë që i tërë opinioni ta kuptojë kush janë të tjerët do të merremi vesh me popullin nga Kosova dhe Metohia”- është një pjesë e cila është shkruar nga një faqe serbe në Telegram.

Në këto komente e shkrime që po qarkullojnë në Telegram, thuhet edhe se policët e rinj nga komuniteti serb, stërviteshin nga Policia e Kosovës për t’u bërë pjesë e këtij institucioni derisa në anën tjetër Policia kryente arrestimet dhe, siç pretendojnë ata, “kidnapimet e vëllezërve serbë”.

Nga tri konkurse të cilat Policia e Kosovës kishte hapur në tetë muajt e fundit dy prej tyre ishin specifikisht për policë të rinj të cilët do të shërbenin në Drejtorinë e Policisë në Mitrovicën e Veriut.

Këto konkurse ishin shpallur pasi rreth 600 pjesëtarë të Policisë, me grada e pozita, të ndryshme dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.