ShBA përshëndet Bashën për përjashtimin e Berishës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur vendimin e Lulzim Bashës për përjashtimin e ish-kreut historik të Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, nga grupi parlamentar i PD-së.

Vendimi i Bashës, sipas ShBA-së ishte i vështirë, duke theksuar se PD ka kurajon që të ndahet nga e shkuara për të ndërtuar të ardhmen, raporton Top Channel.

Duke shprehur mbështetje ndaj PD-së, ShBA pret bashkëpunim të ngushtë me opozitën për të forcuar marrëdhëniet ShBA-Shqipëri.

“Vendim i vështirë i shpallur dje nga kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, shkruan Ambasada e ShBA-së.

Kreu i Partisë Demokratike, me anë të një deklarate një ditë më parë vendosi të largojë nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha, derisa të dalë në dritë e vërteta e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në një deklaratë për media, teksa theksoi rolin e rëndësishëm të Berishës në forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-ShBA, kryedemokrati Lulzim Basha ka përsëritur thirrjen për transparencë në këtë proces.

Më tej Basha shtoi se partneriteti i PD-së me ShBA-në është i pacenueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë në interes të demokratëve dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Pas vendimit të Bashës, Berisha tha se kryedemokrati ka shkelur çdo nen të statutit të PD-së, duke u shprehur se do të jetë i pranishëm në parlament.

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall ‘non grata’ nga ShBA në muajin maj të këtij viti. Ishte vetë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili publikisht e ka shpallur si person ‘non grata’ në ShBA ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha bashkë më familjen e tij.

Përmes një mesazhi në Twitter, Bliken tha se ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, me aktet e tij korruptive minoi demokracinë.

Sipas tij Basha më parë duhet të kishte mbledhur Kongresin e partisë, të kishte ndryshuar statutin dhe një nen të tij, që më pas të ishte një proces i drejtë shkarkimi i tij.

Për Berishën në këto rrethana ky vendim është një shkelje e plotë e ligjeve të partisë. Ai e sfidoi hapur Bashën duke thënë se nesër do të shkojë në Parlament, pavarësisht këtij vendimi.