Shaqir Totaj vizitoi Korishën, fshat në karantinë, Haskuka do të paraqesë kallëzim penal ndaj tij

Vizita e kryetarit të degës së PDK-së në Prizren në fshatin Korishë që është shpallur zonë karantinë, po cilësohet si vepër penale nga ana e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Andaj Haskuka bashkë me drejtorin e Shëndetësisë, Visar Shehu, sot janë nisur për në Prokurorinë e Prizrenit për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj Shaqir Totajt, Jeton Bytyqit (anëtar i PDK-së në Prizren) dhe dr. Sylejman Nishorit që e kishte shoqëruar delegacionin e PDK-së gjatë vizitës në Korishë.

Kallëzimi penal lidhet me veprën penale – mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë.

Mirëpo, për shkak të gjendjes dhe situatës së krijuar, nga prokurori i është bërë me dije se po punojnë dhe po pranojnë lëndë vetëm të rasteve urgjente dhe raste të paraburgimit, andaj ky kallëzim penal do të dorëzohet nëpërmjet rrugëve elektronike ka bërë të ditur për KALLXO.com drejtori i Shëndetësisë, Visar Shehu.

Haskuka pretendon se Shaqir Totaj me veprimin e tij nuk ka vepruar sipas urdhrave apo vendimeve të nxjerra  në bazë të dispozitave të organit kompetent, vendime këto  që kanë pasur për qëllim luftimin apo parandalimin e përhapjes së epdemisë.

Në Komunën e Prizrenit deri më sot janë konfirmuar tri raste me coronavirus, një rast është paraqitur në Prizren dhe dy në fshatin Korishë.

Personi i parë i prekur me COVID-19 është shëruar ndërsa njëra prej të prekurve ka vdekur dje si pasojë e gjendjes së rënduar. Tashmë në Prizren është vetëm një rast aktiv me COVID-19.

Më 4 prill fshati Korishë ishte shpallur zonë karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Më 7 prill kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj së bashku me një delegacion të PDK-së dhe një mjek, Sylejman Nishorin, kishin vizituar fshatin Korishë.

Totaj kishte shkruar në Facebook se ka vizituar këtë fshat për të vizituar për së afërmi shtabin lokal të formuar nga vetë banorët.

“Kjo vizitë u bë në plotëni me rekomandimet e institucioneve tona relevante, për mbajtjen e distancës dhe masat tjera mbrojtëse”, thotë në  njoftimin e tij për vizitën Shaqir Totaj.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, kishte reaguar të njëjtën ditë duke thënë se “Nuk po arrij të kuptoj pse dikujt i pengon puna në parandalimin e pandemisë COVID-19 dhe për përfitime të vogla politike, rrezikojnë jetën e qytetarëve duke shkelur vendimet dhe urdhëresat e organeve kompetente “.

Haskuka ka kërkuar që të bëhet izolimi për të gjithë ata që kanë vizituar zonën e karantinuar në Korishë dhe që të iniciohet procedura penale kundër atyre që kanë bërë hyrje – dalje në zonë të karantinuar.

Sipas Kodit Penal të Kosovës vepra për të cilën është dorëzuar kallëzimi penale thotë: “Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet “.