Fshati Korishë i Prizrenit futet në karantinë

Pas tri rasteve pozitive me COVID-19 në Prizren, dy prej të cilave ishin nga fshati Korishë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që ky fshat të futet në karantinë.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Haskuka përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se ky vendim ka ardhur për shkak se IKShPK nuk e ka gjetur burimin e infeksionit për rastin e tretë pozitiv.

Publikimi i plotë i Haskukës:

Të dashur qytetarë,

Sot kemi pasur rastin e tretë me virusin COVID-19 në komunën e Prizrenit, respektivisht me vendbanim në Korishë.

Ndryshe nga 2 rastet e tjera kur është konstatuar burimi i infektimit dhe janë identifikuar të gjitha kontaktet, në rastin e fundit personeli nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk ka arritur të gjejë përgjigje nga është burimi i infektimit.

Prandaj me rekomandimin e IKShPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Ministria e Shëndetësisë sot ka nxjerrë vendim që fshati Korishë të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat. Vendimi hyn në fuqi nga sot dhe obligohen të gjithë t’i respektojnë masat.

Këto masa janë për parandalim dhe janë për të mirën e të gjithëve, prandaj t’i respektojmë.

Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me institucionet është më se i domosdoshëm për luftimin e koronavirusit. Personeli i IKShPK-së në vazhdimësi është duke kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

I ftoj të gjithë kontaktet e personit që të vetizolohen për dy javë dhe nëse kanë simptome të telefonojnë në numrin 038 200 80 800.

Të ndihmojmë stafin mjekësor profesional që të bëjnë punën e tyre duke respektuar masat.

Mbetshi me shëndet!

Mytaher Haskuka