Serge Brammertz: Ratko Mlladiç meriton dënim të dyfishtë për gjenocid

Para vendimit përfundimtar në çështjen gjyqësore kundër ish-shefit ushtarak serb të Bosnjës, kryeprokurori i Kombeve të Bashkuara Serge Brammertz i tha BIRN se prokuroria shpreson që Ratko Mlladiç të dënohet për gjenocid në pesë komuna të tjera boshnjake në 1992 si dhe në Srebrenicë në vitin 1995.

Prokurori Serge Brammertz tha në një intervistë për BIRN përpara vendimit gjyqësor për Ratko Mlladiçin të martën se ai beson se krimet nga forcat serbe të Bosnjës të kryera në pesë komuna boshnjake në 1992 përbënin fillimin e një gjenocidi në vend i cili kulmoi në Srebrenicë në korrik 1995.

“Ka qenë gjithmonë teori e Zyrës së Prokurorit se ajo që ndodhi në komuna para gjenocidit në Srebrenicë ishte tashmë fillimi i gjenocidit”, tha Brammertz.

Ai tha se prokuroria po argumenton se “qëllimi i gjenocidit ishte tashmë i pranishëm kur Mlladiç urdhëroi spastrim etnik dhe shfarosje masive në komuna në 1992”.

Në vendimin e shkallës së parë në gjyqin e tij në vitin 2017, Mlladiç u dënua për gjenocid në Srebrenicë në 1995, por u lirua nga e njëjta akuzë në pesë komuna të tjera – Prijedor, Foca, Kotor Varos dhe Sanski Most – ku prokuroria pretendon se fushata e persekutimit e forcave serbe të Bosnjës në vitin 1992 u përshkallëzua në një shkallë të tillë që demonstroi qëllimin për të shkatërruar boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës si një grup.

Prokuroria më tej pretendon se Mlladiçi jo vetëm që e dinte që do të kryhej ose ishte kryer gjenocid nga vartësit e tij në 1992, por që ai nuk arriti të merrte masa “të nevojshme dhe të arsyeshme” për ta parandaluar këtë ose për të ndëshkuar autorët.

Vendimi i vitit 2017 zbuloi se “u kryen vrasje që përbënin krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës” në pesë komuna në 1992. Gjykatësi, Alphons Orie, gjithashtu tha se kishte “një plan për të shkatërruar” popullsinë boshnjake.

Por gjykatësi Orie tha se grupi i synuar përfaqësonte një “numër relativisht të vogël” të numrit të përgjithshëm të boshnjakëve dhe se nuk kishte prova që Mlladiç ndante “qëllimin e gjenocidit” të autoriteteve lokale serbe.

Ish-lideri politik serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç tashmë është liruar nga akuza për kryerjen e gjenocidit në komuna në 1992. Brammertz pranoi se deri më tani gjyqtarët kanë refuzuar ta pranojnë çështjen e prokurorisë, por këmbënguli se ishte arritur sukses në vendosjen e drejtësisë.

“Megjithatë, ajo që është shumë e rëndësishme për t’u përmendur në këtë drejtim është se për të gjitha ato krime në komuna – krime lufte, krime kundër njerëzimit – ka pasur dënime për të gjithë ato, por kualifikimi ligjor për këto krime nuk ka qenë gjenocid, por dënime për krime kundër njerëzimit ose krime lufte”, tha ai.

Mlladiç u dënua gjithashtu në 2017 për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara. Mbrojtja e tij apeloi, duke kërkuar lirim nga akuzat ose rigjykim të çështjes.

Në intervistën e tij për BIRN, Brammertz gjithashtu kritikoi mohimin e vazhdueshëm të krimeve dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës në vendet e ish-Jugosllavisë.

“Unë mendoj se mohimi i gjenocidit, mohimi i krimeve dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës sot është një nga sfidat absolute më të mëdha në vendet e ish-Jugosllavisë”, tha ai.

As autoritetet serbe dhe as autoritetet në entitetin e Republikës Srpska të mbizotëruar nga serbët e Bosnjës nuk pranojnë që masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.

“Ajo që po pengon pajtimin sot janë gjithë këta politikanë të papërgjegjshëm, të cilët për arsye të brendshme nacionaliste, egoiste, egocentrike po mohojnë gjenocidin në Srebrenicë dhe po glorifikojnë kriminelët e luftës”, tha Brammertz.

Ai tha se ishte “absolutisht në favor të legjislacionit” që mohimi i gjenocidit të Srebrenicës të bëhej një vepër penale. BI