Një shitës ambulant në Nju Delhi duke reklamuar një bluzë me logon e TikTok. Foto: EPA-EFE/RAJAT GUPTA.

Raport: Mohim gjenocidi, lavdërim kriminelësh lufte në TikTok

Një raport i ri paralajmëron se video që lavdërojnë kriminelët e luftës si Ratko Mlladiç dhe mohojnë gjenocidin e Srebrenicës dhe Holokaustin po postohen në platformën TikTok.

Një raport që analizon përmbajtjen ekstremiste dhe gjuhën e urrejtjes në TikTok, botuar nga Instituti për Dialog Strategjik me qendër në Londër, paralajmëron se disa krijues përmbajtjeje në këtë pltaformë ku shpërndahen video, e kanë përdorur atë për të lavdëruar kriminelët e luftës, për të promovuar gjenocidin dhe mohimin e Holokaustit dhe përhapjen ide raciste dhe antisemitike.

“Dy nga dhjetë videot më të shikuara, me 655,800 dhe 233,000 shikime, përmbajnë komente që tallen me viktimat dhe mohojnë ekzistencën e gjenocidit boshnjak dhe Holokaustit”, thuhet në raport.

Raporti, i cili analizoi një total prej 1,030 videosh, tha se më shumë se 240 video shfaqnin mbështetje për organizatat ose individët e lidhur me ekstremizmin ose terrorizmin.

Ai tha gjithashtu se 246 video përfshinin lavdërimin, promovimin ose lavdërimin e njerëzve të tillë si shefi i Ushtrisë Serbe të Bosnjës të kohës së luftës, Ratko Mlladiç, autori i masakrës në Christchurch, Brenton Tarrant, Adolf Hitlerit ose Shtetit Islamik.

Raporti tha se shumë gjuhë urrejtjeje anti-myslimane në TikTok kishte lidhje me luftërat në ish-Jugosllavi dhe masakrat e boshnjakëve nga Srebrenica.

“Kjo përfshinte përmbajtje për gjenocidin e vitit 1995 në Srebenicë, mohimin e kësaj ngjarje dhe lavdërimin e atyre që ishin përgjegjës, siç ishte gjenerali i dënuar Ratko Mlladiç. Këngët e përdorura për të lavdëruar Mlladiçin gjendeshin në videot e analizuara”, thuhej në raport.

Raporti gjeti gjithashtu video që promovojnë stereotipet raciste që i portretizojnë të gjithë myslimanët si mbështetës të terrorizmit, pamje propagandistike të realizuara nga Shteti Islamik dhe 26 postime që mohojnë ekzistencën e Holokaustit.

“Krijuesit e përmbajtjes që promovojnë urrejtjen dhe ekstremizmin përdorin funksionet sistematike të platformës për të rritur dukshmërinë e përmbajtjes së tyre, duke përfshirë përpjekjet për të përdorur promovimin algoritmik të hashtag-eve të caktuar për të shtuar shikimet dhe angazhimin”, tha raporti.

Ai paralajmëroi se taktikat e evazionit për të shmangur heqjen e videove janë të thjeshta, por efektive. Strategjitë përfshijnë mundësinë që përdoruesit e ndaluar të kthehen përsëri në TikTok me emra përdoruesish pothuajse identikë, duke përdorur funksionet e privatësisë dhe kufizimet e komenteve ose formulimin alternativ të hashtag-eve, si dhe përdorimin e paraqitjes së rrjetit të videove për të promovuar urrejtje.

Raporti më tej pohoi se përmbajtja ekstremiste nuk po hiqet vazhdimisht dhe tërësisht nga platforma dhe se shumë shembuj të gjuhës së urrejtjes nuk janë hequr shpejt.

Në përgjigje, TikTok tha se kishte ndërmarrë hapa për të hequr përmbajtjen ekstremiste dhe llogaritë e përdoruesve që e postuan atë.

“TikTok ndalon kategorikisht ekstremizmin e dhunshëm dhe gjuhën e urrejtjes dhe ekipi ynë i përkushtuar do të heqë çdo përmbajtje të tillë pasi shkel politikat tona”, tha ai. BalkanInsight