Prokurori i Hagës: Bashkëpunimi për krimet e luftës po përkeqësohet

Serge Brammertz tha në një konferencë për shtyp në Zagreb të martën se ish-shtetet jugosllave po bashkëpunojnë dobët në ndjekjen penale të kriminelëve të luftës dhe se zyrtarët nuk janë të interesuar në dënimin e krimeve të kryera në vitet 1990.

“Fakti për të ardhur keq është se gjendja është e keqe dhe ka vite që bën mbrapa – sa i përket ndjekjes penale shtetërore të kriminelëve të luftës dhe bashkëpunimit rajonal,” tha Brammertz në konferencën me titull “Drejtësia pas Hagës”, e organizuar nga OJQ-ja Documenta – Qendra për Ballafaqim me të Kaluarën.

“Sa herë që shkoj në rajon, tronditem nga ndryshimi midis qasjeve të zyrtarëve që nuk duan të tregojnë interes për të dënuar krimet e luftës dhe situatën e dëshpëruar të viktimave,” shtoi ai.

Në Zagreb, kryeprokurori i Hagës takoi gjithashtu ministrin kroat të drejtësisë Drazen Bosnjakoviq dhe kryeprokurorin e shtetit Drazen Jeleniq për të diskutuar përpunimin e krimeve të luftës në Kroaci dhe bashkëpunimin gjyqësor rajonal në rastet e krimeve të luftës.

Brammertz foli me Bosnjakoviq mbi numrin gjithnjë e më të madh të gjyqeve të mbajtura në Kroaci me të pandehurit në mungesë, tha një burim i informuar për BIRN.

Sipas raportit vjetor të Documentas, shumica e procedurave penale në vitin 2017 janë kryer në mungesë të të pandehurve.

“Prandaj, postulati bazë i çdo procedure penale bashkëkohore që duhet të kërkojë të sigurojë pjesëmarrjen efektive të të pandehurit, strukturën kundërshtare të procedimeve dhe barazi të palëve të përfshira në procedurë, është komprometuar në thelb,” tha Documenta në raport.

Burimi i BIRN tha se Brammertz gjithashtu foli me Bosnjakoviqin për Ministrinë kroate të Drejtësisë që punësoi Akademinë Kroate të Ligjit për të kryer një analizë studimore mbi vendimet e shkallës së parë dhe të shkallës së dytë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në rastin kundër ish-zyrtarëve politik dhe ushtarakë kroatë të Bosnjës Jadranko Prliq, Bruno Stojiq, Milivoj Petkoviq, Valentin Coriq, Berislav Pusiq dhe Slobodan Praljak.

Qëllimi i analizës është të shqyrtojë mundësinë e kundërshtimit të vendimit përfundimtar, tha Ministria e Drejtësisë.

Brammertz dhe Bosnjakoviq gjithashtu diskutuan rastin e Branimir Glavasit, një gjeneral kroat i viteve 1990, lider i një partie të krahut të djathtë dhe deputet në parlamentin kroat, i cili po rigjykohet për krime lufte, tha burimi i BIRN-it.

Documenta ka pohuar se gjykata e Zagrebit ka pastruar rrugën për të liruar nga akuzat Glavasin duke e ndarë rastin e tij nga rasti kundër pesë prej vartësve të tij.

Në takim u diskutuan edhe çështje të tjera siç janë personat e zhdukur, sipas Ministrisë së Drejtësisë.