Arkiv - Ivan Todosijeviq - Ish ministër

Serbia reagon pas dënimit të Todosijeviqit rreth deklaratave për Reçakun

Zyrtari i Listës Serbe në Kosovë, Ivan Todosijeviq, është dënuar të mërkurën nga Gjykata Themelore në Prishtinë me një vit burgim – në seancën e rigjykimit – për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati e tij, Nebojsha Vllajiq.

Todosijeviq ka deklaruar në mars të vitit 2019 se arsye për “agresionin e NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave më 1999 ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Lista Serbe, që është partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e ka quajtur vendimin ndaj Todosijeviqit “persekutim të serbëve në Kosovë”.

Ajo ka thënë, po ashtu, se avokati i Todosijeviqit do të bëjë ankesë kundër vendimit.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se dënimi ndaj Todosijeviqit është “i turpshëm, i motivuar etnikisht dhe politikisht”.

Sipas tij, aktgjykimi ka treguar se serbëve në Kosovë u mohohet liria e fjalës dhe se autoritetet e Kosovës në fakt po përhapin “urrejtje dhe jotolerancë racore, fetare dhe etnike ndaj serbëve”.

Petkoviq u ka bërë thirrje serbëve që të mos bien në “provokime të paramenduara” dhe të qëndrojnë të qetë.

Masakra e Reçakut njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën.

Ajo u ka paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish-shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker/REL/.