ILUSTRIM - Ekstradimi

Serbia do të ekstradoj një shtetas të saj, i dyshuar për tentim vrasje në rajonin e Prizrenit në vitin 1999

Ljubisa Manitaseviç do të ekstradohet nga Hungaria në Serbi, por jo për shkak të krimeve të luftës të kryera në Kosovë, por për shkak të dyshimeve se i njëjti kishte marrë pjesë në një tentim vrasje në vitin 1999 në rajonin e Prizrenit.

Mediat në Beograd kanë raportuar se Manitaseviç pritej të ekstradohej për shkak se i njëjti ishte përgjegjës për vrasje dhe plagosje të paligjshme gjatë luftës në vitin 1999 në Kosovë.

Burime të KALLXO.com tregojnë që i njëjti dyshohet për tentim vrasje në Prizren në vitin 1999.

Sipas raportimeve të mediave serbe Ministria e Drejtësisë në Beograd ka bërë të ditur sot se Manitaseviç do të ekstradohej nga Hungaria në Serbi por që edhe Kosova kishte kërkuar ekstradimin e tij.

Por sipas raportimeve, Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar edhe se ministri hungarez i drejtësisë kishte vendosur që Manitaseviç të ekstradohej në Beograd.

Gjithashtu është raportuar se Manitaseviç po dyshohet se ishte përgjegjës për plagosje të paligjshme gjatë luftës në Kosovë.

Manitaseviç ishte arrestuar në shtator të vitit 2019 në pikën kufitare në Roszke, pikë kufitare kjo  mes Serbisë dhe Hungarisë.

I njëjti ishte arrestuar gjatë përpjekjes së tij që të kthehet në Serbi.

Manitaseviç ka qenë i kërkuar nga Prokuroria e Kosovës për tentim vrasje në rajonin e Prizrenit në vitin 1999.

Ministria tha në një deklaratë se një gjykatë hungareze zbuloi se “parakushtet ligjore që Ljubisa Manitaseviç të ekstradohej në Beograd dhe Prishtinë ishin përmbushur”.

KALLXO.com ka kërkuar gjatë ditës së sotme sqarime rreth ekstradimit të Ljubisa Manitaseviç nga ana e Prokurorisë Speciale por që nuk ka pasur përgjigje.