Selimi refuzon të flasë para nisjes: Do të flas atje sepse më shkon zani më mirë

Deputeti i LVV-së, Rexhep Selimi para nisjes së tij për në Hagë, ka bërë homazhe tek varri i aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari në përvjetorin e vdekjes së tij.

I pyetur nga gazetarët pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, Selimi nuk ka preferuar të flasë për rastin e tij, ai madje ka thënë që do të flasë në Hagë.

“Mos ma merrni si refuzim, por do të flasë prej atje, prej atje më shkon zani më mirë”, ka thënë Selimi.

Dje Anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, e ka konfirmuar se ndaj tij është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.

Aktakuza është konfirmuar edhe ndaj kryetari të PDK-së, Kadri Veseli si dhe ndaj ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit i cili dje është arrestuar dhe dërguar në Hagë.

Ndërsa sot për në Hagë pritet të nisen Veseli dhe Selimi.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.