Kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe (djathtas) aksionerja e Albtek Energy, Stela Gugallja. Foto: Facebook

Sekuestrohet incineratori i Elbasanit, arrestohet Koka, në kërkim pronarët e koncesionit

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u arrestua të martën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve për koncesionin kontrovers të incineratorit të Elbasanit. SPAK kërkoi gjithashtu arrestimin e shtetases Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Services, por këta dy të fundit u shpallën në kërkim pasi policia nuk arriti të gjejë vendndodhjen e tyre. Mbi të dyshuarit rëndojnë akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.

Kjo është goditja e parë e korrupsionit në nivel të lartë nga SPAK dhe u lavdërua nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë si tregues i suksesit të reformës në drejtësi ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha akuzoi Edi Ramën si përgjegjës final të aferës së incineratorëve.

Sipas SPAK, Koka ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.

Sipas SPAK, koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin ndërsa Albtek dhe Integrated Technology Services kanë bërë pagesa për kompani të cilat dukshëm nuk kanë kryer punimet për të cilat janë paguar.

“Gjatë hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë  dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K,” thotë SPAK duke iu referuar akuzës për korrupsion ndaj Lefter Kokës.

“Shtetasi L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij,” thuhet më tej në deklaratë.

Grupi i kompanive pas incineratorit të Elbasanit janë përfitues edhe të dy kontratave të tjera kontroverse të dhëna nga qeveria aktuale e kryeministrit Edi Rama, incineratori i Fierit dhe landifilli i Tiranës. SPAK nuk bëri të ditur se çfarë ndodh me këto dy kompani të tjera. (reporter.al)