Së shpejti do të miratohen rregullat për trotinetët elektrikë në Prishtinë

Shumë shpejt pritet që Komuna e Prishtinës të miratojë një Rregullore të posaçme, për funksionimin e trotinetëve elektrikë në kryeqytet.

Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i cili ka thënë se fillimisht Rregullorja do të dalë për diskutim publik.

“Trotinetët me dy ose më shumë rrota të drejtuara me timon mekanik, sisteme të frenimit, sinjalistikë, bori dhe që vihen në lëvizje nga një motor elektrik i nënshtrohen rregullave të trafikut dhe kushteve të përcaktuara sipas Ligjit për automjete të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Zogaj.

Sipas tij, trotinetët do të lejohen me fuqi maksimale deri në 500W, shpejtësi deri në 25km/h, mosha do të jetë mbi 15 vjet dhe do të ndalohet ngasja në pjesë të gjelbëruara.