SBAShK-u: Vazhdon greva në arsim

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj në konferencë për media ka bërë të ditur se greva në institucione publike arsimore do të vazhdojë.

Jasharaj ka kritikuar Qeverinë se nuk është duke i ftuar në takim për të diskutuar rreth grevës.

“Në vend të dialogut qeveria po humb orë duke shëtitur nga një komunë në tjetrën. Kësjtu do të vazhdojë greva sepse është thirr nga vetë të punësuarit. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Unionin e Sindikatave të Bashkuara të Evropës”- ka thënë Jasharaj.

Tutje, ai ka thënë se deklaratat e Ministres së Arsimit, Abërie Nagavci nuk qëndrojnë.

“Deklarata e Ministres Nagavci se dyert janë të hapura nuk qëndron, në të kaluarën ne jemi takuar me të, por tani ajo nuk po ka kohë, sepse po shkon në vizita. Nëse e ka sinqerisht të na dërgojë një letër, por më shumë se kurr po e presim një letër nga me kryeministrin Kurti”- është shprehur Jasharaj.

Në këtë konferencë kanë qenë të pranishëm edhe nga Sindikatës së Punëtoreve të Shqipërisë, Nevruz Kateli, i cili ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të ftoj BSPK-në në në takim.

“Me këtë rast do të bëja thirrje ministres së arsimit, sepse nuk ka asnjë zgjedhje tjetër përveç dialogut. Ftoj Kurti që të ulet në tavolinë për dialog dhe bisedime”- ka thënë ai.

Kurse, sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nga kjo situatë dilet duke nisur mësimi për nxënësit dhe duke shkuar mësimdhënësit në shkolla pasi sipas tij nuk zhvillohet vendi pa arsimim.

“Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit pra duke shkuar mësimdhënësit nëpër shkolla dhe po ashtu edhe nxënësit me qenë se nuk zhvillohet vendi pa arsimim, nuk zhvillohet ekonomia pa mësim dhe edukim”- tha Kurti.

Fillimi i këtij vit të ri shkollor ka nisur mes grevës dhe thirrjes për mbajtje të mësimit në shkollat e Kosovës.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të jetë më intensive nga 1 shtatori.