Sasi e madhe e bërllokut në lagjen "Bajram Curri" në Prizren

Sasi të mëdha mbeturinash duket se kanë krijuar një deponi të re ilegale në lagjen “Bajram Curri” në Prizren.

Sipas disa banorëve ato mbeturina gjatë mbrëmjes digjen duke krijuar tym të madh.

“Kamioneta të shumta derdhin mbeturina në këtë pjesën mbrapa shkollën së mjekësisë, saktësisht mbrapa pazarit, në mbrëmje i djegin, krijohet tym e erë e keqe”, ka thënë një banor i lagjes i cili nuk ka dashur të identifikohet.

Në fotografitë e dërguara në adresë të KALLXO.com shihen mbeturinat, të cilat pjesën e gjelbëruar e kanë shndërruar në deponi mbeturinash.

KALLXO.com ka biseduar më drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasemi, i cili ka thënë se kërkojnë bashkëpunimin e qytetarëve në mënyrë që t’i identifikojnë personat që janë duke e kryer këtë vepër dhe të ndërmarrin masa.

Gjithashtu, KALLXO.com inkurajon qytetarët që të raportojnë rastet e ndotjeve të mjedisit.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.