Katundarët e Adem Grabovcit nuk e votuan PDK-në

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në fshatin Saradran të Istogut ka marrë 121 vota.

Nga ky fshat është Adem Grabovci dhe nipi i tij, Valon Grabovci.

Ky i fundit është kandidat për deputet nga PDK në zgjedhjet e së dielës të 6 tetorit.

PDK-ja në këto zgjedhje ka garuar më premtimin kryesor për luftim të korrupsionit dhe nepotizimit. Kryetari i saj, Kadri Veseli, listën e kandidatëve të PDK-së për deputet e ka proklamuar si listë pa persona me aktakuza për korrupsion e nepotizëm. E njëri prej personave të fuqishëm që ka mbetur jashtë listës së PDK-së është Adem Grabovci, i cili është pjesë e aktakuzës në rastin “Pronto”.

Por, familja Grabovci e ka pasur serish një kandidat në listën e PDK-së, nipin e Adem Grabovcit, Valonin.

KALLXO.com më herët kishte shkruar se Valon Grabovci, në 12 muajt e fundit ka fituar përmes dy bizneseve të tij 12 kontrata nga institucionet e Kosovës. Këto kontrata kapin vlerën e rreth 4,5 milionë euro. Kurse, vetëm njëri prej bizneseve të tij, Zenith Group, që ishte regjistruar në gusht të vitit 2018 si biznes, ka arritur të fitojë 9 kontrata në vlerë prej 3.3 milionë euro nga institucionet e Kosovës.

Në asnjërin prej vendvotimeve në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Saradran, PDK nuk ka arritur të marrë më shumë vota se LDK.

LDK është parti me më së shumti vota sipas rezultateve preliminare në Saradran. LDK ka marrë 314 vota, koalicioni AAK-PSD është radhitur i dyti me 253 vota ndërsa PDK vetëm 121 vota.

Në vendvotimin 0619C/01R, PDK ka grumbulluar vetëm 24 vota, koalicioni AAK-PSD ka marrë 121, ndërsa LDK ka dalë e para me 132 vota.

Ndërsa në vendvotimin 0619C/02R, PDK ka marrë 70 vota, 2 vota më shumë se koalicioni AAK-PSD që ka marrë 68 vota. Më shumë se këto dyja ka arritur të grumbullojë LDK, gjithsej 99 vota.

Në vendvotimin 0619C/03D, PDK ka marrë 27 vota. Më shumë se PDK ka arritur të marr koalicioni AAK-PSD, gjithsej 64 vota. Më së shumti në këtë vendvotim ka marrë LDK, me 83 vota.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ, në komunën e Istogut kanë votuar 37,72% të votuesve. Nga 18.216 vota të vlefshme, LDK ka marrë më së shumti, 8.350 vota apo 45,88%, pastaj koalicioni AAK-PSD, 3.383 vota apo 18,59%, të tretët janë radhitur Lëvizja Vetëvendosje me 2.344 vota apo 12,88%. PDK vjen e katërta me 2.324 ose 12,77% të votave.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 6 tetor.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 203 mijë e 052 vota apo 25.49 për qind. Ndërsa, LDK doli e dyta me 197 mijë e 702 vota apo 24.82 për qind të votave. Në këtë rezultat nuk janë numëruar votat e diasporës, votat me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta.

Rezultatet preliminare të KQZ-së mund t’i gjeni KËTU.