Avokati i Popullit

Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ofron dëshmi se ku dhe me kë i harxhoi 278 euro për ‘Darka Zyrtare’

278 euro e 50 cent janë shpenzuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë vitit 2021 në shtatë raste të shpenzimeve në “Dreka Zyrtare”.

Mirëpo, për këto shpenzime IAP nuk ka ofruar dëshmi që ishin përdorur për qëllime të kryerjes së detyrave zyrtare.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për IAP ka gjetur se një gjë e tillë kishte ndodhur për shkak se nuk është respektuar vendimi me të cilin rregullohen shpenzimet e reprezentacionit për zyrtarët e këtij institucioni.

“Në shtatë raste shpenzime ‘Dreka Zyrtare’ në vlerë prej 278.50€, IAP nuk ka mundur të ofroj dëshmi që këto shpenzime ishin përdorur për qëllime të kryerjes së detyrave zyrtare, aktiviteteve dhe takimeve të ndryshme të punës me karakter zyrtar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Për këtë auditori ka rekomanduar Avokatin e Popullit që të identifikoj shkaktarët e mos respektimit të vendimit për shpenzimet e reprezentacionit dhe të siguroj kontrolle adekuate në mënyrë që mangësitë e tilla të mos ndodhin në të ardhmen.

Kjo pasi mosrespektimi i kërkesave të vendimit për shpenzimet e reprezentacionit në IAP, ka ndikuar në realizimin e shpenzimeve të paarsyeshme.

Sipas Neni 5 të Vendimit nr. 247/2019, të datës 4 nëntor 2019, për caktimin e të drejtës dhe të shumës mujore të reprezentacionit për zyrtarët e IAP-së, përcakton që shpenzimet e reprezentacionit përdoren vetëm për mbulimin e shpenzimeve të cilat bëhen me rastin e kryerjes së detyrave zyrtare, aktiviteteve dhe takimeve të ndryshme të punës me karakter zyrtar, dhe nuk mund të përdoren për nevoja e qëllime të tjera.

Auditori ka thënë se përgjigja e menaxhmentit të entitetit për këtë gjetje ka qenë se ata pajtohen.