Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa drejtori do të udhëhiqen nga gratë, tregojnë kandidatët e Kaçanikut

Kandidatët për kryetar të Komunës së Kaçanikut në Debat Pernime kanë dhënë premtimet e tyre për numrin e drejtoreshave gra në drejtoritë Komunale të kësaj komune.

Besim Ilazi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të emërojë 3 gra në 9 drejtori sa i ka Kaçaniku.

“Nga 9 drejtori që i kemi tash të reja, tri gra do të jenë drejtoresha”, ka thënë Ilazi.

Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje tha gratë do të kenë hapësirë të barabartë në drejtoritë komunale.

“Do ta kenë hapësirën e barabartë”, ka thënë Raka.

Ndërsa Kastriot Bushi – kandidat i pavarur për Kaçanikun tha se 70% e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë.

“70% duhet të jenë femra në komunën e Kaçanikut”, ka premtuar Bushi.

Edhe Shkëlqim Jakupi nga LDK tha se gjysma e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë.

“50% e drejtorive duhet të udhëhiqen nga gratë”, tha Jakupi.

Po ashtu edhe Shukri Luta kandidat i pavarur për Kaçanikun ka thënë se gjysma do të jenë gra.

“Femra jonë duhet të kërkojë e jo t’i falin. Nuk më pengon as 60%, por po do t’i bëj 50%”, ka thënë Luta.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kaçanikut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Kaçanikut: Besim Ilazi nga PDK; Jeton Raka nga LVV; Kastriot Bushi – kandidat i pavarur; Shkëlqim Jakupi nga LDK dhe Shukri Luta  kandidat i pavarur.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Kaçanikut: Ardita Rrahmani nga LDK; Florina Lika Vishi dhe Lirije Luta nga PDK; Arta Sopa dhe Resmije Loki nga LVV; Rabije Sallahi dhe Valentina Murseli nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.