Foto: Roberta Metsola, Facebook

Rugova në prapavijë të Zelenskyt dhe Metsolas

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka publikuar një fotografi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Në prapavijë të fotografisë shihet edhe fotografia e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, si laureat i çmimit “Saharov”.

Metsola bashkë me fotografinë e publikuar në “Facebook” ka shkruar: “Bashkë, për liri, për paqe, për fitore”.

Të njëjtën fotografi e ka shpërndarë edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ka shkruar “Foto e ditës: ‘Shtëpia nuk mbahet pa miq.’”

Çmimi “Saharov” ndahet çdo vit nga Parlamenti Evropian për njerëzit apo organizatat që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.

Rugova e kishte fituar atë në vitin 1998.

Përveç tij, këtë çmim e kishte fituar edhe Adem Demaçi në vitin 1991.