Ilustrim

Rubla ruse zhvlerësohet në nivel rekord

Monedha kombëtare ruse ra në nivel rekord, pasi G7, apo grupi i vendeve më të industrializuara, vendosi sanksione të ashpra financiare kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Rubla ra të hënën në 114 kundrejt dollarit amerikan, krahasuar me 83.7 në fund të javës së kaluar.

Rubla ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj që nga fundi i tetorit, kur Rusia ka nisur të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.

Në fundjavë, G7 ka bërë të ditur se do të sanksionojë Bankën Qendrore të Rusisë dhe do t’i përjashtojë disa nga institucionet e saj më të mëdha financiare nga sistemi global bankar, i njohur si SWIFT.

Sanksionet e pengojnë aftësinë e Bankës Qendrore për të mbrojtur rublën duke i shitur rezervat e saj në monedhat e G7-ës.

Disa nga lajmet e fundit nga Ukraina janë:

  • Izolimi politik dhe ekonomik i Rusisë është thelluar pasi forcat e saj kanë hasur në rezistencë të ashpër në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, dhe në qytete të tjera. Perëndimi po ashtu ka ashpërsuar sanksionet kundër Rusisë.
  • Shpërthime janë dëgjuar në Kiev dhe në qytetin e Kharkivit të hënën në mëngjes, thanë zyrtarët ukrainas.
  • Zyrtarët ukrainas dhe rusë pritet të zhvillojnë bisedime në një vend në kufirin Bjellorusi-Ukrainë, tha Zyra e Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
  • Vendet evropiane dhe Kanadaja kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore për avionët rusë. Kanadaja tha se kompania ajrore ruse, Aeroflot, ka shkelur ndalesën mbi qiellin e saj.
  • Bashkimi Evropian do të financojë armatimin e Ukrainës, për ta ndihmuar atë që të mbrohet kundër pushtimit rus, thanë të dielën zyrtarë të lartë të BE-së. Rusia i cilëson veprimet e saj në Ukrainë si “operacion special”.
  • Së paku 352 civilë, përfshirë 14 fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës. Mbi 1,600 njerëz u raportuan të plagosur.
  • Dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Evropën protestuan të dielën kundër pushtimit rus të Ukrainës. Në Rusi, më shumë se 5,500 njerëz u arrestuan në protesta të ndryshme kundër luftës./REL