Plugu i vendosur nga PSD-ja pranë Ministrisë së Bujqësisë, Foto: KALLXO.com

Rritja e çmimit të grurit, PSD aksion para Ministrisë së Bujqësisë

Partia Socialdemokratike ka mbajtur një aksion para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Qëllimi këtij aktiviteti ka qenë që të kërkohen nga Qeveria e Kosovës masa për parandalimin e rritjes së çmimit të grurit.

Anëtari i kryesisë së PSD-së, Frashër Krasniqi ka pasur tre kërkesa për Qeverinë.

“Heqja e akcizës dhe e TVSH-së në naftë për bujqit është urgjente, subvencionimi i 25% së paku të çmimit të plehut si dhe rritja e subvencionimeve të përgjithshme në bujqësi me së paku 25%”, kanë qenë kërkesat e Krasniqit.

Aktivistët e kësaj paritë para hyrjes së Ministrisë së Bujqësisë kanë vendosur një plug dhe një grafik.

Kjo grafik e PSD-së ka paraqitur koston për mbjelljen e një hektari tokë me grurë.

Sipas kësaj grafike të PSD-së, në vitin 2021 një hektarë grurë ka kushtuar 432 euro, ndërsa në 2022 e njëjta hapësirë tokësore për mbjellje gruri kushton gati dy herë më shumë, pra 855 euro.

Ndërsa, qëllimi i vendosjes së plugut, sipas Krasniqit, ka qenë që të njoftohen institucionet qeverisëse se bujqit, sipas Krasniqit, nuk kanë llogari që t’i mbjellin tokat.

“E kemi sjellë sot këtë plug këtu për me i tregu Qeverisë së Kosovës, saktësisht MBPZhR-së që për bujqit e këtij vendi, nuk e di a e dinë këta a jo sot, nuk ka llogari me u mbjell toka në Kosovë”, është shprehur Krasniqi.

Tutje ai ka thënë se qeveria nuk po i rrinë afër bujqve.

“Bujqit tonë sot veç janë në krizë, qeveria nuk po i rrinë afër”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, në kohë krizash qeveria do duhej të subvenciononte prodhimin vendor, sipas Krasniqit qëllimi i këtij subvencionimi është që Kosova të mos goditet dhe të mos ekspozohet në lëvizjet e çmimeve në nivel ndërkombëtar.

 

Grafika e PSD-së që paraqet koston për mbjelljen e një hektari tokë me grurë, Foto: KALLXO.com
Vedosja e grafikës së PSD-së që paraqet koston për mbjelljen e një hektari tokë me grurë, Foto: KALLXO.com
Aktivistët e PSD-së duke sjellur plugun pranë Ministrisë së Bujqësisë, Foto: KALLXO.com