Burg i improvizuar para Zyrës së BE-së në Prishtinë, në shenjë proteste për mosliberalizimin e vizave

Aktivistë nga “Lëvizja për Demokraci” të premten kanë improvizuar një burg në formë të hartës së Kosovës para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Më moton “Çfarë faji kemi ne që jemi të izoluar? Nuk jemi njerëz edhe në si ju”, aktivistët qëndruan për disa minuta brenda tij si formë proteste për mosliberalizmin e  vizave për Kosovën.

Përfaqësuesi i kësaj organizate Megjid Musa, tha se ky aksion u bë për t’i kujtuar BE-së që një popull po mbahet i izoluar.

“Me anë të këtij aktiviteti duam t’i tregojmë BE-së që po na mban të izoluar padrejtësisht. Ne nuk kemi asnjë faj që të mbetemi të izoluar”, shtoi ai.

Musa potencoi se këtë lloj aktiviteti me burgun e improvizuar do ta dërgojnë edhe para zyrës së BE-së në Bruksel.

“Qeveria e ka bërë punën e vet, ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, mbetet vetëm BE të na jap dritën e gjelbër. Sa t’i rregullojmë vizat do shkojmë edhe në Bruksel me këtë lloj aktiviteti”, shtoi Musa.

Ai për Bashkimin Evropian tha se nëse promovon vlera të demokracisë, përse e mban një popull të izoluar.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka regjim të vizave për lëvizje në zonën Shëngen të BE-së.

Liderë të Kosovës por edhe qytetarë të shumtë mbanin shpresë se Kosovës do i jepej ndonjë sinjal për liberalizim gjatë samitit të liderëve të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor në Bruksel ditë më parë, por diçka  e tillë nuk ishte pjesë e agjendës.

Vjosa Osmani në samitin e BE-së: Jam e vetmja këtu që më duhet të marrë vizë