Ilustrim, Foto: Pixabay.com

Rritja e çmimeve, inflacioni është rritur 13% brenda një viti

Ndonëse shtrenjtimi i çmimeve të konsumit ishte 0.2 për qind më i lartë në muajin gusht në krahasim me muajin paraprak, inflacioni i çmimeve ishte 13 për qind më i lartë në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2021.  Këtë e bëjnë të ditur të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Drutë për zjarr, peleti dhe produktet e qumështit dhe vezët u shtrenjtuan më tepër.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6.3%); qumësht, djathë dhe vezë (3.6%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.3%); mish (1.7%); bukë dhe drithëra (0.6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.6 për qind në IHÇK” – thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal -6.1 për qind.

Inflacioni 13% më i lartë se në muajin gusht të vitit 2021

ASK tregon se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2022 krahasuar me muajin gusht të vitit 2021 ishte 13 për qind më i lartë.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 13.0% në muajin gusht 2022, krahasuar me muajin gusht 2021″ – tregon ASK.

Ngritje të çmimeve të konsumit në këtë periudhë pati në: vajra dhe yndyra ushqimore – 52.1 për qind; lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet – 48.6 për qind; bukë dhe drithëra – 32.4 për qind; karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal – 32.0 për qind; qumësht, djathë dhe vezë – 26.2 për qind; gaz – 26.1 për qind; mish – 22.5 për qind.

Nën 20 për qind janë, sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira – 19.7 për qind; shërbime për transport – 17.9 për qind; kafe, çaj dhe kakao 17.6 për qind; prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë – 15.7 për qind;  shërbime hoteliere – 14.9 për qind; mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake – 14.3 për qind; mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit – 12.2 për qind; vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht – 11.3 për qind.

Ndërsa nën 10 për qind, kujdesi personal – 8.9 për qind; pushime të organizuara – 7.9 për qind; ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet – 7.3 për qind; gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare – 6.8 për qind; pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal – 6.2 për qind; gjëra personale – 5.9 për qind; pajisje shtëpiake – 5.4 për qind; blerje e automjeteve – 5.3 për qind; duhan – 5.3 për qind; pije alkoolike – 5.2 për qind; produkte farmaceutike – 4.6 për qind; qelqurina, takëme dhe mjetet e kuzhinës – 4.2 për qind, mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje – 3.8 për qind.

Rënie të çmimeve pati në pemë e perime.

“Pemë (-8.2%); perime (-1.2%); veshje (-0.7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK” – thotë ASK.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës i bëri të ditura me publikimin  “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin gusht 2022.

Në muajin e kaluar, KALLXO.com,  shkroi edhe për të produktet cilat shënuan rritje të theksuar të çmimeve.

Sa u rritën çmimet e produkteve brenda një viti?