Foto ilustrim

Rreth 30 mijë euro ende nuk i kanë tërhequr mërgimtarët nga pagesa e policave në 2020

Në gusht të vitit 2020, Qeveria e Kosovës kishte miratuar një vendim përmes së cilit mërgimtarët që hyjnë në Kosovë gjatë periudhës gusht-dhjetor nuk do të paguanin policën e sigurimit.

Këtë policë kufitar do ta mbulonte qeveria.

Por, krahas këtij vendimi disa qytetarë gjatë hyrjes në Kosovës kishin paguar këtë policë kufitare e cila fillon prej 13 euro ndonëse me vendim të ekzekutivit ata kanë qenë të liruar.

Byroja Kosovare e Sigurimeve në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kjo kishte ndodhur si shkak i një gabimi në sistemin e policave të sigurimit.

“Çështja e gabimit teknik, konsiston në ndërtimin adaptimin e atillë të sistemit të lëshimit të policave të sigurimit kufitar sipas marrëveshjes, ashtu që në muajin e fundit të zbatimit të saj në Dhjetor 2020, të vlefshmërisë së policave të sigurimit të cilat lëshohen për validitet prej tridhjetë (30) ditë, janë lëshuar polica të sigurimit të cilat po ashtu kalojnë datën 31.12.2020 si datë e vlefshmërisë së tyre. Për shkak të kohës së shkurtë në dispozicion për përgatitjet e nevojshme në infrastrukturën e sistemeve, nga nënshkrimi i marrëveshjes me datë 30.07.2020 dhe hyrjes në fuqi më  01.08.2020 (pra 1 ditë kalendarike), sistemi ka qenë i ndërtuar në modelin që për të gjitha policat për të cilat validideti do të jetë pas datës 31.12.2020”, thotë BKS.

Për shkak të këtij ‘gabimi teknik’, Byroja Kosovare e Sigurimeve ka grumbulluar 88 mijë e 855 euro nga këto polica kufitare të paguara nga mërgimtarët, polica këto që kanë qenë të mbuluara edhe nga Qeveria e Kosovës.

Byroja Kosovare e Sigurimeve ka thënë për KALLXO.com se deri në tetor të këtij viti, kanë mbetur edhe 30 mijë e 576 euro të cilat ende nuk janë tërhequr nga mërgimtaret.

BKS iu kishte bërë thirrje qytetarëve të cilët kishin paguar këtë policë kufitare që të tërhiqnin këto para.

Deri më tani, nga shuma e përgjithshme e pranuar në emër të policave si më sipër prej 88,855 euro, detyrimet e mbetura deri me datë 27.10.2021 rezultojnë në nivel prej 30,576.00 euro, të cilat do të vazhdojnë të kthehen në vazhdimësi”, ka thënë BKS për KALLXO.com

Ajo ka shtuar se ‘çështje të ngjashme si kjo nuk është paraqitur në zbatimin e Marrëveshje së re të Bashkëpunimit për vitin 2021’.