Rrëshqitja e dheut në Veternik, Foto: Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës

Rrëshqitje e dheut në Veternik, Komuna e Prishtinës thotë se është kompetencë e Ministrisë së Infrastukturës (FOTO)

Në Veternik ka pasur rrëshqitje të dheut. Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica ka thënë për KALLXO.com se kjo ka ndodhur për shkak të reshjeve të shiut dhe ndërtimeve që po bëhen në atë zonë.

Ai ka thënë se edhe pse ajo pjesë është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, ekipe të Komunës së Prishtinës kanë dalë në atë pjesë për ta pastruar.

“Unë kisha sugjeru që Ministria me i marrë përgjegjësitë e veta dhe me kompanitë kontraktuese që i kanë me dalë dhe me sanu gjendjen, por prapë se prapë ne si institucione komunale e kemi pastru edhe më herët, domethënë nuk është hera e parë që jemi marrë me këtë rast do të mundohemi edhe sot brenda ditës nëse mundemi, në kuadër të kontratave që kemi me kompanitë që ta sanojmë këtë problem” – thotë ai.

Drejtori Fushtica ka thënë më tej se ata kanë përgatitur raportin nga vendi i ngjarjes dhe ia kanë përcjellë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Ne kemi dalë në vend të ngjarjes e kemi përgatitë raportin, ia kemi përcjell edhe Ministrisë edhe qendrës 112 do të mundohemi që ne me forcat tona, në kuadër të komunës me intervenu në ndërkohë” – ka shtuar Fushtica.

Madje ai ka thënë se rrëshqitja e dheut është përsëritur disa herë në këtë pjesë.

“Por prapë se prapë ky është rast që është përsëritë disa herë. Ne e kemi ngrit këtë çështje në Ministrinë e Infrastrukturës edhe para dy muajve, nuk kemi marrë asnjëherë përgjegje nga ana e tyre” – tha drejtori Fushtica.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe është pritje të përgjigjeve për këtë çështje.

Foto: Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës
Foto: Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës