Vrasjet e mistershme me bomba të telekomanduara në Gjakovë

Ganiu është i vetmi nga burrat e familjes i mbetur ne familjen Ahmeti në Smolicë të Gjakovës pasi vëllai Ali Ahmeti, 29 vjeçar, kishte mbetur i vrarë në vitin 2013 ndërsa babai mbeti i vrarë me eksploziv në dhjetorin e vitit 2018 ne hyrje të shtëpisë.

“Në fundin e viti 2013 mu ka vra vëllai Ali Ahmeti, 29 vjeçar. Mu ka vra nga axha që quhet Abaz Ahmeti. E ka thirrë në telefon vëllai, ka shku me pi një kafe edhe gjoja ka pasë një mosmarrëveshje brenda shtëpisë edhe vëllai u dalë. Duke i mbathë këpucët, ai e ka vra pas shpinës në shkallët e shtëpisë. Axha u dënu njëherë 12 vjet e gjysmë nga gjykata e Gjakovës pastaj gjykata e Apelit ia ka lanë 9 vjet dënimin. E tash në fundin e vitit 2018 mu ka vra baba me eksploziv në derën e shtëpisë. Ai ka qenë në Gjermani dhe ka ardhur në pushim. Kur e ka hapë derën e shtëpisë i ka krisur eksplozivi në trup dhe ka mbetë i vdekur”, thotë Gani Ahmeti.

E tërë ngjarja e shpërthimit të eksplozivit ndaj babait të Ganiut ishte filmuar nga kamerat e sigurisë që ishin të vendosura në shtëpinë e tyre. Eksplozivi që doli të ishte fatal për 61 vjeçarin Haxhi Ahmeti ishte vendosur ne kutinë postare afër derës së shtëpisë dhe në momentin kur ai ishte afruar, eksplozivi kishte shpërthyer.

“Eksplozivi ka qenë i vendosur këtu përpara në postën e shtëpisë, kamerat kanë qenë të vendosura kur ka ndodhë rasti dhe e kanë kapur krejt rastin nga kjo kamera aty përafërsisht 5 metra distancë personin e kanë kap mirë qartë shihet personi kur e vendos eksplozivin krejt”, tha Ahmeti.

Ai gjithashtu pretendon se drejtësia e Kosovës nuk i ka zbardhur të gjitha rrethanat e vrasjes së vëllait të tij. Ai thotë se sikur drejtësia ta kishte kryer punën e vet si duhet në rastin e vëllait, babai i tij sot do të ishte gjallë.

“Unë po vazhdoj me kërku drejtësi dhe do të kërkoj sa të jem gjallë por deri tash hala drejtësi nuk kam parë. Sikur drejtësia ta kishte kryer punën mirë në rastin e vëllait, hala babën e kisha gjallë me i pas këqyr do sende qysh e tek kanë ndodhë e kush e ka bo e qysh e ka bo e kush e ka shti besoj shumë se babën e kisha gjallë po drejtësia fatkeqësisht nuk ka punuar ne rastin e vëllait si duhet”, thotë Ahmeti.

Avokati Gëzim Kollçaku i cili e ka mbrojtur Abaz Ahmetin tash të dënuar për vrasjen e djalit të vëllait, thotë se Gjykata e Apelit nuk ka gjetur shkelje ne gjykimin e gjykatës së shkallës së parë, dhe se rasti tash është i përfunduar dhe klienti i tij është në vuajtje të dënimit.

Por dënime ende nuk ka për rastin e Haxhi Ahmetit. Prokuroria e policia ende nuk e kanë zbardhur rastin e vdekjes së Haxhi Ahmetit të vitit 2018. Prokurori i Gjakovës, Ali Uka, nuk ka pranuar të flasë se deri ku kanë shkuar hetimet e këtij rasti.

Ai shkurt ka thënë se çështja është ende nën hetime dhe se nuk mund të japë më shumë detaje.

“Është rasti shumë serioz, nuk mundemi të japim informata në këtë mënyrë sepse na prishen hetimet dhe rasti është shumë i komplikuar sepse jemi ne rrjedhë e sipër në hetime duke i bërë hetimet në punë intensive. E kemi lëshuar urdhër arrestin dhe letër rreshtimin vendor dhe ndërkohë do ta lëshojmë edhe letër rreshtimin ndërkombëtar”, tha prokurori Uka duke mos përmendur se ndaj kujt është lëshuar ky urdhër arresti.

Familjaret thonë se janë duke e pritur drejtësinë që ta zbardhë rastin e Haxhi Ahmetit, por ata po pretendojnë se drejtësia po i shkon shumë ngadalë këtij rasti.

“Ia kam lanë drejtësisë njëherë por drejtësia shumë është duke ecë ngadalë. Fakte kanë bukur mirë dhe e dinë si drejtësia si policia qysh tek kush e ka bo, e dinë fort mirë se për mua kur të zbardhet ky rast mua me doket si me mu kthy baba sepse ata e marrin dënimin e merituar se çka kanë bërë“, tha Gani Ahmeti.