Rrëfimet e dëshmitarëve në gjykimin ndaj Muhamet Alidemaj, i akuzuar për krime lufte në masakrën e Izbicës

Dy dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës janë dëgjuar në seancën e së enjtes në Gjykatën e Prishtinës në gjykimin e Muhamet Alidemajt, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile, konkretisht për masakrën në Izbicë.

Dëshminë e saj, dëshmitarja N. Sh. e nisi me pyetjet nga prokurori special Ilir Morina, e cila u rrëfye për ditën e masakrës së Izbicës. E njëjta jetonte me familjen e saj në fshatin Leqinë të Skenderajt.

Tutje, dëshmitarja theksoi se kishin qëndruar dy ditë tek një familje në Izbicë, ‘’Edhe gjithë natën në fshatin Izbicë ka pasur granatime’’- tha ajo.

Lidhur me ditën e masakrës, dëshmitarja theksoi se në Izbicë i kishin mbledhur në një fushë, sipas saj prej 5 deri 10 mijë persona.

‘’Nga të dy anët, nga pjesa e Leqinës kanë ardhur forca serbe në këmbë, shumë mirë më kujtohet, pjesa tjetër ka ardhë me tanke’’.

’’Kanë pasur maska dhe fytyra të ngjyrosura’’ – tha ajo.

‘’Kanë nejt, i kanë thirrë me u nda pleqtë, meshkujt prej 10-12 vjet i kanë nda, edhe gratë nga burrat prej edhe ju kanë kërku të holla’’ – shtoi ajo.

E njëjta tha se prej kësaj turme i kishin ndarë edhe burrat derisa kishin ardhur forcat e tjera serbe. Ndër ta kishte qenë edhe babai i dëshmitares dhe tre komshinj të saj.

Sipas dëshmitares pjesën tjetër të turmës e kishin maltretuar për 1 orë, ‘’Maltretimet kanë qenë të mëdha, të tmerrshme, gjuajtje dhe sharje si për gra dhe fëmijë se nuk e dishim a po na vrajnë’’- tha ajo.

Dëshmitarja tutje kishte rrëfyer se meqë vinte nga fshati Leqinë, një fqinje të saj Sh. Sh. në mes të turmës e kishte njohur një ushtar nga forcat serbe meqë Sh. Sh. të njëjtin e kishte pasur fqinj, me incialet M. Sh, i cili të njëjtës i ishte drejtuar në gjuhën serbe që të ngritej në këmbë, meqë ajo e kuptonte gjuhën serbe.

Ushtari nga forcat serbe e kishte pyetur Sh. Sh. se pse e kishte fshehur këtë terrorist, drejtuar personit që ajo kishte pasur afër e që kishte qenë invalid. Dëshmitarja N. Sh. e kishte parë të gjithë ngjarjen.

‘’I thonin invalidit me u ngrit edhe erdhën 2-3 ushtarë të tjerë duke e tërhequr zvarrë’’– tregoi dëshmitarja.

Dëshmitarja tha se për fatin e babait të saj kishte mësuar pas 2 javësh, pas masakrës së Izbicës, ndërsa për vendndodhjen e eshtrave kishte mësuar pas 2 muaj e gjysmë përmes lajmeve, e të cilat më pastaj i kishin gjetur në fshatin Suhodoll të Mitrovicës.

E njëjta për të akuzuarin Alidemaj tha se kishte dëgjuar vetëm përmes mediave dhe që nuk i kujtohet se e kishte parë ditën e masakrës.

Dëshmitari i dytë B. O. duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit ka sqaruar se gjatë vitit 1998-1999 ka jetuar në fshatin Izbicë.

Dëshmitari deklaroi se të akuzuarin Alidemaj e kishte parë tre herë.

Sipas tij, hera e parë, ka qenë dy javë para masakrës në Izbicë, herën e dytë kur janë vrarë tre bashkëfshatarë të tij, ndërsa herën e tretë tha se të akuzuarin e kishte parë po në të njëjtin fshat, në muajin maj.

B. O. tha se në atë kohë kishte qenë pjesëtar i UÇK-së dhe se e vëzhgonte terrenin, por që në momentin që e kishte parë të akuzuarin, i njëjti nuk kishte qenë me uniformë.

I njëjti ka sqaruar herën e dytë kur kishte parë të akuzuarin Alidemaj ditën e masakrës, më 28 mars.

“Rreth orës 12 isha tek shtëpia në të njëjtin vend duke e vëzhguar situatën dhe e kam parë Muhametin, nga drejtimi i fshatit Leqinë ka zbritë poshtë dhe ka ardhë në Izbicë aty ku isha unë edhe tre metra nuk e kam pasur më larg, na ka përshëndetur dhe ka shkuar teposhtë dhe kur ka shku 20-30 metra, është ndalë dhe ka vëzhgu 4-5 minuta shikonte përreth dhe ka shkuar në drejtim të fshatit Vojnik. Ka qenë me rroba civile dhe në dorë s’ka pas asgjë”- rrëfej dëshmitari.

Ndërsa, për herën e tretë dëshmitari B. O. sqaroi se i akuzuari Alidemaj ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër dhe kanë qenë duke shkuar nga ‘Lugu i fshatit Izbicë në drejtim të bregut’ dhe i njëjti sipas tij i kishte përshëndetur në gjuhën shqipe.

“Personi tjetër që ishte bashkë me Muhametin nuk ka fol asgjë. Dhe nuk ka shku as gjysmë ore që Muhameti me këta persona janë larguar, dhe janë vra I. O., Xh. D. dhe A. B., të cilët ishin në vend roje”, deklaroi dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, i akuzuari Alidemaj i kishte kërkuar nënës së tij të holla në vlerë prej 1 mijë marka në mënyrë që shtëpia e të njëjtit të shpëtonte, ditën e masakrës së Izbicës.

“Muhamet Alidemaj është taku me nënën time tek dyert e shtëpisë duke i thanë se ‘ndaq me të pshtu shpija duhet 1 mijë marka’ dhe nana ime ka shku në odë dhe ja ka lyp babës tem 1000 mijë marka për me shpëtu shtëpinë’’.

‘’Baba ja ka dhënë paret dhe nana jau ka dhanë në dorë. Nana ime më ka thënë se ai person i ka thanë këto që i ceka më lartë në gjuhën shqipe se nana ime nuk e ka ditë gjuhën serbe”- shtoi tutje.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili i ka kërkuar dëshmitarit që ta shikojë të akuzuarin Alidemaj duke e pyetur se a ka qenë ky personi që e kishte parë tre herë në atë periudhë.

“Po ky është ama se ka pasë këtë shnet, ky është edhe s’po dua me pa hiq”- u përgjigj dëshmitari.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale – krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.

I njëjti sipas aktakuzës me 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t’u nisur në drejtim të fshatit Izbicë, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh. O., ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1,000 marka gjermane e më pas i vunë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcënim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t’i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Tutje Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe shkojnë te livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, bëjnë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12-vjeç e dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në Shqipëri.

Ndërsa burrat i ndajnë në grupe dhe bëhet ekzekutimi i tyre me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civilë.

Dy muaj pas këtij veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa pas përfundimit të luftës trupat u gjendën në varrezat masive të Batajnicës, në Serbi.