Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rrahmani: Kusari-Lila nuk më përfaqëson mua politikisht, as ideologjikisht

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka folur në lidhje me audio-incizimet ku pretendohet të jetë duke folur shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.

Rrahmani ka thënë se Kusari – Lila nuk e përfaqëson atë politikisht as ideologjikisht.

Ai ka deklaruar se me Kusari-Lilën ka dallime edhe më të mëdha se me Vetëvendosjen.

“Zonja Kusari nuk më përfaqëson mua si deputet. Ajo është shefe e një grupi parlamentar, e cila është propozuar prej kryetarit. Ka marrë votën e shumicës së deputetëve dhe si vendim i tillë është respektuar prej meje. Në aspektin ideologjik e praktik unë dallimet shumë më të mëdha sesa me Vetëvendosjen i kam me Mimozën, në shumicën e çështjeve. Mimoza Kusari nuk më përfaqëson as politikisht, as ideologjikisht mua” – është shprehur ai në Tëvë1.

Gazeta Nacionale më 03.06.2024 ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Kusari-Lila, ka deklaruar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, ish-deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti e ka quajtur bisedën telefonike të publikuar si të montuar.

“Unë vetë nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar dhe e kanë shumë të qartë pse Radoiçiq ikë tash dhe dikur ishte në kryeministri. Zëdhënësi i subjektit Vetëvendosje e ka dhënë përgjigjen e saktë për këtë gjë. Ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bënë 9 muaj që është i lirë në Serbi. Trysnia do të duhej të ishte që në Kosovë të ngritët aktakuzë”- u shpreh ai.

Kurti për bisedën e përgjuar të Kusari- Lilës: Qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radoiçiqin