Konjufca për Kusari- Lilën: Nuk kam asnjë dyshim për tradhti kombëtare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur në lidhje me audio-incizimet ku pretendohet të jetë duke folur shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.

Konjufca ka thënë se nuk ka asnjë dyshim për tradhti kombëtare nga Kusari-Lila.

Sipas tij, e gjitha mund të quhet si gabim apo pakujdesi nga ana e saj.

“Unë personalisht nuk kam asnjë dyshim në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të zonjës Kusari – Lila. Nuk kam asnjë dyshim për tradhti kombëtare, apo çfarëdo të kësaj natyre, mund ta quajmë një emër tjetër, gabim, pakujdesi e saj, por sa i përket kësaj se çka më tregon mua, që është vazhdimësi e tjerrjes, mendoj që është i njëjti rast i para shtatë a tetë muajve, pra është i njëjti rast që po publikohet në sekuenca qysh po i konvenon dikujt. Më tronditës është ky inxhinierim që po ndodh sesa baza kombëtare e zonjës Kusari – Lila”- ka thënë ai më 06.06.2024.

Gazeta Nacionale më 03.06.2024 ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Kusari-Lila, ka deklaruar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, ish-deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti e ka quajtur bisedën telefonike të publikuar si të montuar.

“Unë vetë nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar dhe e kanë shumë të qartë pse Radoiçiq ikë tash dhe dikur ishte në kryeministri. Zëdhënësi i subjektit Vetëvendosje e ka dhënë përgjigjen e saktë për këtë gjë. Ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bënë 9 muaj që është i lirë në Serbi. Trysnia do të duhej të ishte që në Kosovë të ngritët aktakuzë”- u shpreh ai.