Haxhiu i quan ‘përpjekje për të larguar vëmendjen’ kërkesat e opozitës për hetim ndaj Mimoza Kusari Lilës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur në lidhje me audio-incizimet, në të cilat pretendohet se janë duke folur shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili po kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.

Haxhiu tha se kërkesa e partive opozitare për një hetim ndaj deputetes Kusari-Lila është përpjekje për të larguar vëmendjen nga ‘dështimi’, siç tha ajo për ta rrëzuar Qeverinë Kurti.

“…tash paskan kërkuar hetim ndaj mimoza Kusarit. Unë mendoj që kjo është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga një dështim spektakolar që e patën për rrëzim të qeverisë apo shkuarjen në zgjedhje. Opozita duhet të jetë e bashkuar. Por ju e keni parë, njëri kërkonte rrëzim të qeverisë, tjetra dorëheqje të qeverisë, tjetra shpërndarje të Kuvendit. Ne e kemi thënë që ne jemi të gatshëm kurdo që ata dëshirojnë, mirëpo ne konsiderojmë që ata duhet të jenë të përbashkuar në kërkesat e tyre. Prandaj unë e shoh më tepër për ta zhvendosur vëmendjen dikur tjetër, siç e përmenda, nga dështimi i tyre”- tha Haxhiu.

Ministrja kritikoi opozitën që sipas saj asnjëherë që nga rasti i Banjskës ata nuk kanë kërkuar që Serbia të dorëzoj Milan Radoiçiq në Kosovë.

‘Nuk e di që kem dëgjuar ndonjëherë që opozita kërkon që Serbia ta dorëzojë Milan Radoiçiqin. A e keni dëgjuar ju, sepse të paktën unë nuk e kam dëgjuar. Pra, një opozitë që një terrorist që ka bërë sulm terrorist në Republikën e Kosovës, asnjëherë nuk po kërkojnë që Serbia ta dorëzojë atë, asnjëherë nuk kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë terroristët, jo vetëm Radoiçiqin por edhe të tjerët që kanë kryer sulme terroriste…”- ka deklaruar Ministrja e Drejtësisë.

Gazeta Nacionale më 03.06.2024 ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Milan Radoiçiq po kërkohet nga INTERPOL-i në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.