Albin Kurti

Kurti nga Parada e Krenarisë: Kosova nuk e përjashton asnjë njëri

Për të tetën vit radhazi në Kosovë është mbajtur Parada e Krenarisë .

Kryeministri Albin Kurti i cili i priu Paradës së Krenarisë tha se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe se Republika e Kosovës nuk e përjashton asnjë njëri duke garantuar barazi për të gjithë.

“Nëse besojmë në të drejtat e njeriut atëherë duhet ti flakim tutje paragjykimet. Disa njerëz janë më ndryshe por që të gjithë jemi njerëz dhe duhet të jemi të barabartë  pikërisht barazia na mundëson bashkimin e pamundëson përjashtimin dhe e garanton gjithë përfshirjen andaj unë mora pjesë në këtë paradë sepse shteti ynë i pavarur është Republikë demokratike që nuk e përjashton asnjë njëri dhe garanton barazi për të gjithë dhe secilin” – tha Kurti.

Pjesë e Paradës së Krenarisë ishte edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila e cila tha se komuniteti LGBTQ duhet të jetë i pranuar dhe se nuk duhet të ketë paragjykime për ta.

“Kisha nderin dhe kënaqësinë që të jem në hapjen e Javës së Krenarisë ditën e hënë në mbështetje të komunitetit LGBTQ në Kosovë. Nëse nuk gaboj janë tetë vite radhazi që shënohet dhe mund të them që çdo vit e ka një qasje me të cilën synohet që përfaqësuesit e komunitetit të ndihen të lirë të jenë ata që më të vërtetë janë dhe natyrisht të tjerët që mund të kenë paragjykime për ta të kuptojnë se të gjithë jemi një dhe nuk ka asnjë dallim. Komuniteti LGBTQ njëjtë si të gjithë të tjerët duhet të jenë të pranuar” – tha Kusari Lila.

Nga ky organizim, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se është me rëndësi të madhe që Kosova dhe Prishtina të jenë të barabartë për të gjithë, pa dallim.

“Është me rëndësi të madhe që Kosova, Prishtina të jenë të barabartë për të gjithë, që të ju mundësojë secilit person çfarëdo gjinie apo religjioni, që me ju mundësu të jenë vetvetja. Pra të jemi të barabartë të gjithë, edhe këtë Prishtina po e tregon çdo vit që të jemi një kryeqytet të hapur për të gjithë, të barabartë për të gjithë, pra me i përkrahë të drejtat e gjithë qytetarëve të kryeqytetit” – tha Rama.

Java e Krenarisë në Kosovë ka nisur më 03.06.2024 , ndërsa kjo është hera e tetë që në Kosovë mbahet parada e Krenarisë.

Rama nga Parada e Krenarisë: Është me rëndësi që Prishtina dhe Kosova të jenë të barabartë për të gjithë