Rrahje në Ferizaj, arrestohen tre persona

Një rrahje ka ndodhur në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj ku si rrjedhojë dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në Qendrën Emergjente të këtij qyteti për trajtim mjekësor.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Me datën 13.06.2024 rreth orës 22:00, policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informatë për një rrahje në rrugën ‘Sejdi Sejdiu’ në Ferizaj. Ekipe të policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga informatat e para dyshohet se në një lokal disa persona janë përshirë në rrahje dhe për pasojë dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, ka deklaruar Veseli për KALLXO.com

Lidhur me këtë rast, fillimisht është shoqëruar në stacionin e policisë një person.

Më pas, Policia është vënë në kërkim edhe të personave tjerë të përfshirë në rrahje dhe si rezultat ka arrestuar edhe dy të dyshuar tjerë.

“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori kujdestar dhe me vendin të tij janë ndaluar në mbajtje për 48 orë tre persona”, ka theksuar Veseli për KALLXO.com.

Rasti është cilësuar “Lëndim i rëndë trupor”.